Muzeu i Parisit ‘Grevin’ ka hequr statujën prej dylli të presidentit rus Vladimir Putin në shenjë proteste kundër pushtimit të tij në Ukrainë dhe pasi ajo u dëmtua nga vizitorët gjatë fundjavës.
Statuja, e cila u krijua në vitin 2000, u zhvendos në një magazinë deri në njoftimin e mëtejshëm dhe muzeu po konsideron ta zëvendësojë atë me një statujë të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
“Sot nuk është më e mundur të prezantohet një personazh si ai…për herë të parë në historinë e muzeut ne po tërheqim një statujë për shkak të ngjarjeve historike që po zhvillohen aktualisht”, tha drejtori i muzeut Yves Delhommeau për radion France Bleu.Gjatë fundjavës, statuja kishte pësuar sulme nga vizitorët dhe dukej e çrregullt, tha ai.
“Duke pasur parasysh atë që ka ndodhur, ne dhe stafi ynë nuk duam të rregullojmë flokët dhe pamjen e tij çdo ditë”, tha Delhommeau.
I pyetur se kush mund ta zëvendësojë tani Putinin në vendin bosh midis statujave të presidentit amerikan Joe Biden dhe presidentit kinez Xi Jinping, Delhommeau tha se mund të jetë Zelensky i Ukrainës.
“Ndoshta presidenti Zelensky do të zërë vendin e tij…ai është bërë një hero që ka rezistuar dhe për të mos ikur nga vendi i tij. Ai fare mirë mund të zërë vendin e tij midis njerëzve të mëdhenj të historisë dhe sot,” tha ai.



