Aktorja Monika Lubonja krijoi një raport të veçantë me parashutistin Arbër Xhaja, pas një surprize që ky i fundit bëri kur ajo ishte ende brenda shtëpisë së “Big Brother Vip.”

Më pas vetë ata treguan se ajo që nisi si një lojë në format, është shndërruar në një miqësi jashtë shtëpisë. Dyshja publikonin edhe foto në rrjetet sociale së bashku, ku nuk mungonin shakatë. Por së fundmi aktorja ka dalë me një thirrje publike ndaj Arbër Xhajës, duke i rikujtuar një premtim që ai i kishte bërë muaj më parë, gjatë BBV.
Në një video të publikuar në Instastory, Monika shprehet mes të tjerash se do ia heqë emrin “piloti i zemrës”. Aktorja “paralajmëron” parashutistin të mos dalë me të tjera, pasi vetëm ajo duhet të fluturojë me të.
“Arbër kam përshtypjen se do të ta heq emrin “piloti i zemrës time” se sa kam dalë nga Bigu akoma nuk kam provuar fluturimi. Kështu që të paktën ndaji përgjysëm ato të ardhurat okej? Edhe jam këtu në Dhërmi unë dhe mos më dil me të tjerë, nuk më intereson, më intereson vetëm të fluturoj unë!”– shprehet aktorja gjatë videos, të cilën Arbër Xhaja e ka ripostuar duke i vënë vetëm disa emoji të qeshurash.

Duket se raportet mes tyre vijojnë të jenë të mira edhe pas përfundmit të BBV. Aktorja është e mirëpritur në familjen e parashutistit edhe nga bashkëshortja e tij, ashtu siç konfirmoi pak kohë më parë Arbër Xhaja në një intervistë për “Panorama Plus”.
“Kemi 16 vjet bashkë. Nusja ka qenë gjatë gjithë fluturimeve të ‘Big Brother Vip’ me mua, pasi është ndihmës-pilote me mua. Edhe kur isha i ftuar, ka qenë në dijeni që unë do të mbaja lojën e Monikës për ta bërë atë mos të ndihej keq. E kemi lënë këto ditë të dalim me Monikën dhe bashkëshorten, por unë jam shumë i zënë me punët e fluturimeve dhe besoj nga java tjetër mund ta takojmë”, u shpreh Arbri, duke lënë të kuptohet se kjo situatë nuk i ka hapur probleme me gruan e tij.

Monika dhuroi spektakël në festën e BBV, teksa kërceu për të dhe “performaca” u përmbyll me pilotin që e mbajti në krah aktoren. I kontaktuar nga “Panorama Plus”, piloti foli për miqësinë që ka krijuar me ish-banoren e “Big Brother” dhe për faktin sesi ka ndikuar kjo marrëdhënie në familjen e tij.
Teksa Monika i është drejtuar me fjalë të ëmbla, Arbri sqaron se gjithçka ka qenë në kuadrin e shakasë. “Monika është një personazh karizmatik, na bënte për të qeshur kur e dëgjonim. Monikën s’e kam parë kurrë me atë sy, përkundrazi e shikoj si një femër të fortë, shembull për gratë shqiptare. E kam mbështetur dhe falë saj dhe fabulës që ndërtoi me pilotin e zemrës, njerëzit janë më pranë sportit tonë dhe fluturimeve”, shprehet piloti për “Panorama Plus”.
Kujtojmë se për këtë marrëdhënie, Monikës iu bë dhe një këngë. Ishte këngëtari Elgit Doda, ai që i dedikoi këngën “Piloti i Zemrës”, një dedikim i Monikës për Arbrit. Në sytë e pilotit kjo nuk është një këngë dashurie, por është kënga e një sporti që shpërndan dashuri.


