Në shtator të vitit të kaluar, moderatorja e njohur Jona Spahiu u bë nënë për herë të parë. Ajo solli në jetë vogëlushin Raiden, të cilit i ka kushtuar të gjithë kohën e saj.
Që pas lindjes së djalit, Jona ka vendosur që për një periudhë të pacaktuar kohore të shkëputet nga televizioni.

Por teksa kujdeset për vogëlushin e saj, moderatorja duket se ka gjetur një pasion të ri. Ajo ka hapur një kanal në “Youtube”, ku ndan me ndjekësit eksperiencat personale të jetës së saj.
Një ditë më parë moderatorja ka publikuar një video ku rrëfen mënyrën sesi ajo u bë pjesë e televizionit dhe vështirësitë e mëdha që ka kaluar për të qenë aty ku është sot.

Gjatë rrëfimit të saj, ajo zbulon se i është dashur një kohë e gjatë që të kuptonte nëse televizioni ishte vërtetë ai çfarë dëshironte. Ajo tregon gjithashtu se atëherë kur mendoi se arriti majat, iu desh të përballej me refuzimin e të tjerëve dhe vështirësitë e mëdha për të ruajtur identitetin në një rreth që përpiqej ta ndryshonte pa e kuptuar.
“Bëra gjithçka për të dhënë më të mirën time por nuk isha e ndërgjegjshme për potencialin që unë zotëroja. Nuk isha e ndërgjegjshme deri në pikën që të tjerë të cilit ishin më të mëdhenj, të cilët kishin më eksperiencë, më bënin të ndihesha pakgjë. Shumë njerëz më kanë bërë të ndihem pakgjë, duke vënë në dukje të gjitha gjërat të cilat në shijet e tyre konsideroheshin si jo fort të mira në të dhënat e mia si prezantuese”, rrëfen Jona.

“Njerëzit të cilët i kisha parë nga ekrani më dukeshin të paprekshëm, të paarritshëm, pothuajse mite, ishin rreth e rrotull meje dhe ishin po të njëjtët njerëz të cilët në mënyrë të shprehur ose të pashprehur ndikonin tek personaliteti im, duke thënë një fjalë këtu, një fjalë atje”, shprehet moderatorja e njohur.

© Panoramaplus.al

