5 Dhjetor, 2023

Mirush Kabashi ndërron jetë në moshën 75-vjeçare, reagon Luiz Ejlli krahas fotos me aktorin!


Ndarja nga jeta aktorit të njohur shqiptar, Mirush Kabashi është pritur me hidhërim nga kolegë dhe të afërm, të cilët janë shprehur të tronditur nga vdekja e “Mjeshtrit të Madh”.

Një ndër personazhet që ka reaguar është edhe këngëtari Luiz Ejlli, përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram.

“Lamtumirë Mirush Kabashi”, ka shkruar artisti krahas fotos me aktorin.

Aktori ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të së martës (5 dhjetor), ndërsa lajmin e trishtë  të Mirush Kabashit, e ka njoftuar familja e tij në një njoftim në Instagramin e tij zyrtar

“Të nderuar Miq, Kolegë dhe Dashamirës, me pikëllim të thellë ju njoftojmë se MIRUSH KABASHI ndërroj jetë të Martën, në datë 5 Dhjetor pas mesënate. Përsa i përket detajeve të ditës, orës së varrimit dhe homazheve do ju komunikojmë në orët në vazhdim.

Me Respekt, Familja Kabashi!”- shkruhej në faqen e tij zyrtare.

mirush kabashi

Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Është një aktor shqiptar. Origjina e tij është nga Gjakova. Ai është aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri.

Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare. E ndërsa një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”.

© Panoramaplus.al