13 Janar, 2020

Miliarder dhe pa grua/ Mongoli i modës në kërkim të partneres së jetës që duhet ta shoqërojë në udhëtimin në Hënë, ja kriteret


Miliarderi japonez Yusaku Maezawa është në kërkim të një partnereje për ta shoqëruar atë në udhëtimin turistik me Space X në Hënë. Mongoli i modës është i pari pasagjer civil që do udhëtojë në Hënë me raketën Starship. Ky do jetë udhëtimi i parë hënor nga njerëzit që nga viti 1972. Udhëtimi është planifikuar të ndodhë në vitin 2023.

Por ka një apel të veçantë. Maezawa thotë se dëshiron që ta ndajë këtë përvojë me një grua speciale.

Sipërmarrësi, i cili së fundmi u nda nga e dashura e tij aktore Ayame Goriki, 27-vjeç, u ka kërkuar grave që të aplikojnë në faqen e tij të internetit.

“Ndërsa ndjenjat e vetmisë dhe zbrazëtisë po fillojnë ngadalë të rriten brenda meje, është vetëm një gjë për të cilën mendoj: Të vazhdoj të dashuroj një grua,”- shkroi 44-vjeçari në faqen e tij të internetit.

Ndërsa në pas shtoi: “ Dua të gjej një partnere jete. Me partneren time të ardhshme, dua të tregoj dashurinë tonë dhe paqen në botë nga hapësira e jashtme.”

Në faqen e aplikimit përmbahen një listë të kushteve dhe një program për procesin e aplikimit të gjatë prej tre muajsh.

Në kushte thuhet se aplikantët duhet të jenë beqarë, mbi 20 vjeç, gjithmonë pozitivë dhe të kenë interes për të shkuar në hapësirë.

Afati i fundit për aplikim është 17 janari dhe vendimi për partnerin e Maezawa do të merret në fund të marsit.

Një ekscentrik që fitoi famën si një baterist në një grup muzikor, Maezawa ka rrëmbyer shumë vëmendjen kohët e fundit.

Në fillim të këtij muaji, ai premtoi se do japë 925.000 dollarë për 100 persona të zgjedhur rastësisht në Twitter për të bërë një sondazh sesa ndikojnë lekët tek lumturia.

 

 

© Panoramaplus.al