Këngëtarja e njohur Fjolla Morina është vënë në prangat e policisë, disa muaj pasi u shpall në kërkim nga autoritetet shqiptare, e dënuar me 6 vite burg për veprën penale të “Trafikut të armëve dhe municionit”.
Fjolla Morina mësohet se është arrestuar në një lokal në Prishtinë, pas disa muajsh në kërkim.
Këngëtarja është e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi mbi të rëndon akuza për trafikim të armëve dhe municionit në Shqipëri.
Më 19 shtator të vitit që lamë pas, këngëtarja Fjolla Morina u arrestua në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës në Kukës, bashkë me biznesmenin kosovar Fisnik Syla dhe shoferin e saj.
Këngëtarja po udhëtonte me një makinë tip “Audi Q7” ndërsa iu gjet një armë në çantë dhe një në bagazh.
Në çantën e saj u gjetën dy pistoleta dhe 23 fishekë, teksa ajo më pas deklaroi se ishte shtatzënë, por që rezultoi se kishte gënjyer.
Gjithashtu deklaroi se pistoleta i përkiste dikujt tjetër dhe se nuk e dinte që e kishte në çantë.
Ndërsa këngëtarja u la në masën e sigurisë “Arrest shtëpie” në Kukës, biznesmeni Fisnik Syla u la i lirë nga Gjykata pas rreth dy javësh.
Por Fjolla Morina vendosi të arratiset nga banesa ku po qëndronte në Kukës dhe u largua drejt Kosovës.
E ndërkohë që lajmi për dënimin me 6 vite burg bëri bujë, këngëtarja i sfidoi të gjithë nga Maldive, destinacion luksoz ku kurorëzoi në martesë lidhjen me të dashurin e saj më të ri se veten, Fisnik Sylën.
Por duket se jetës së saj luksoze dhe arratisë i ka ardhur fundi, pasi Fjolla Morina ka rënë në prangat e policisë dhe pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë për të vuajtur dënimin.
© Panoramaplus.al











