Republika e Kosovës sot feston 14-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Më 17 shkurt të vitit 2008, Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Ky kuvend shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik në një mbledhje ku morën pjesë 109 deputetë. Shpallja e Pavarësisë është një datë shumë e rëndësishme pasi është kurorëzimi i një rrugëtimi shumë të gjatë dhe marrja fund e torturave dhe gjenocidit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Kanë qenë të shumtë personazhet publike që kanë uruar deri tani Kosovën nëpërmjet rrjeteve të tyre sociale. Dhe një prej tyre është edhe Rita Ora, e cila çdo vit bën urime të veçanta si për Kosovën, ashtu edhe për Shqipërinë.
Ajo ka publikuar videon ku ka kërcyer vallen e Shotës në 10-vjetorin e Pavarësisë kur mbajti koncertin në Prishtinë dhe krah saj shkruan: “Gëzuar Pavarësinë”. Ky moment i Ritës ka gëzuar gjithë shqiptarët atë ditë, e vazhdon i gëzon dhe emocionon njësoj edhe sot.

Rita e ka dëshmuar shpeshherë se është krenare për originën e saj. Jo vetëm përmes promovimit që i bën në rrjetet sociale por edhe duke ndihmuar njerëzit në nevojë në Kosovë e Shqipëri. Ajo është shumë e lidhur me vendin e saj, kulturën dhe artin.

Kujtojmë se në vitin 2012 ajo ka xhiruar në Kosovë këngën që Rita publikoi për t’i treguar të gjithë botës origjinën e saj. E po ashtu, në EP e saj të fundit të publikuar në 2021, Rita u shfaq e veshur me veshje me motive kombëtare të stiluara nga Valdrin Sahiti.
© Panoramaplus.al
