Në disa media është publikuar prej disa ditësh një lajm se këngëtarja e njohur Eli Fara ka qenë e punësuar si Drejtoreshë e Përgjithshme për Ngrohjen Globale në Ministrinë e Mjedisit, kur ky dikaster drejtohej nga Fatmir Mediu si dhe për 65 udhëtime në SHBA-BE të paguara nga paratë e shtetit.

Lidhur me këtë lajm ka reaguar për herë të parë këtë të shtunë vetë këngëtarja, në një postim të gjatë në profilin e saj zyrtar në Instagram.
Eli Fara e mohon lajmin dhe thotë se “nuk kam firmosur kurrë në asnjë bordero si drejtoreshë”.
Këngëtarja gjithashtu mohon që udhëtimet e saj jashtë shtetit të kenë qenë të paguara nga posti i saj si drejtoreshë. “Nuk di te kem udhetuar ndonjehere si drejtoreshe!!! Kam udhetuar vetem per koncerte dhe nuk kam pasur nevoje per shoqerues! Kjo eshte e verteta!”, shkruan Eli Fara, e cila paralajmëron dhe përballje ligjore për personat që ajo thotë se “mezi presin te marrin gurin e pare e te te godasin”.
POSTIMI I PLOTE
“Zoti më ka bekuar me zërin që më fali, gjithë jetën time ia kam kushtuar artit të këngës! Ndjej neveri të pa fund për njerëzit që abuzojnë me jetën e të tjerëve duke shpifur pafytyrësisht!!!
Ndjej detyrim moral të sqaroj opinionin publik mbi lajmet e rreme nga disa portale këto ditë! Nuk di të kem mashtruar apo vjedhur askënd kurrë në jetën time! Kam punuar fort dhe jam krenare për rrugën që kam ndjekur për të përballuar çdo gjë me djersën time, jam krenare për edukatën që më kanë dhënë prindërit e mi të mrekullueshëm larg te këqijave, mashtrimeve, vjedhjeve!
Deri tani nuk e kam besuar se në botë ka njerëz kaq të ligj, të paskrupullt dhe abuzivë! Përse i ka sjelle zoti në këtë botë?
Duke shkruar tani po shoh babain tim 88-vjeçar duke shkulur barishtet e këqija në oborr, si mendoni do shpëtoje nga ato? Zoti e bëftë mirë për të gjithë ne!
Nuk kam firmosur kurrë në asnjë bordero si drejtoreshë!!!Nuk di të kem marrë ndonjëherë rrogë si drejtoreshë!!!! Nuk di të kem udhëtuar ndonjëhere si drejtoreshë!!! Kam udhëtuar vetëm për koncerte dhe nuk kam pasur nevojë për shoqërues! Kjo është e vërteta!
Thonë që në ditët më të vështira njeh ata që të duan, por edhe ata që mezi presin të marrin gurin e parë e të të godasin. Për këta të fundit nuk dua të flas më shumë, disa prej tyre do të kenë përballje ligjore. Ndërsa për ata që u shqetësuan njësoj si unë dhe besojnë te e vërteta ime, dua t’i falënderoj pa fund!“.


