19 Korrik, 2021

“Mali erdhi prej Zotit, s’kishim plane për të bërë fëmijë”- Rrëfehet Shkurte Gashi, tregon pse e mbajti të fshehtë shtatzëninë dhe lidhjen me Albert Limanin


Shtatzënia e Shkurte Gashit ishte një surprizë për të gjithë pasi këngëtarja mbajti të fshehtë lidhjen e saj me Albert Limain, si edhe faktin që ishte në pritje të ëmbël.

Lajmi u zbulua nga mediat dhe pas publikimit, këngëtarja vendosi të heshtë derisa disa javë pas lindjes së djalit të saj Malit.

Në një intervistë për emisionin “Nin”, ajo u shpreh se vendosi të mos e bëjë publike për shkak të situatës së pandemisë, pasi kishte frikë se mos i ndodhte diçka.

Shkurte Gashi tha se ajo dhe partneri i saj nuk kishin bërë plan të bëheshin prindër, por ardhja e Malit në jetë është gjëja më e bukur që u ka ndodhur.

Këngëtarja tregoi se me Albert Limanin janë njohur 1 vit e gjysmë para se të ngelej shtatzënë dhe se lidhjen me të do e bënte publike pak javë para dasmës së planifikuar në shtator të vitit të kaluar, ceremoni që u shty për shkak të vdekjes së babait të partnerit të saj.

“Ardhja në jetë e Malit ka qenë gjithçka për mua. Periudhën e shtatzënisë isha në Zvicër, nuk e mbajta të fshehtë, thjesht nuk e publikova. Ndoshta kjo është arsyeja pse njerëzit u habitën, e kam thënë shumë herë, rrethi im, njerëzit, familjarët e kanë ditur, por s’kam dalë publikisht. Shtatzënia ka ndodhur në një periudhë pandemie, ishte e vështirë. Ato nëna që e kanë përjetuar e dinë. Zgjohesha çdo ditë me frikën mos më ndodhte diçka sepse brenda vetes kisha dhe një shpirt tjetër. Si edhe me frikën mos dëgjoja ndonjë lajm të keq për familjarët apo të njohurit. Një muaj mbasi hymë në pandemi, kam ngelur shtatzënë.

Kemi pasur 1 vit e gjysmë lidhje kur ngela shtatzënë. Kur u njohëm, ia kemi treguar dhe familjeve tona.

Ne kemi pasur plane për të bërë një dasmë në verë, në shtator praktikisht, por për shkak të vdekjes së babait të Albertit, me të cilin unë kam pasur një lidhje shumë të ngushtë, nuk kemi bërë dasmë edhe e kemi shtyrë që të kalojë një vit ose dy.

Shtatzënia ka ardhur prej Zotit, nuk kemi pasur plane për të bërë fëmijë, mirëpo është gjëja më e bukur që na ka ndodhur. Edhe mendoj që është plotësuar një dëshirë e të ndjerit, babait të Albertit, që ai ka dashur të na shohë me një fëmijë.

Unë nuk kam dashur ta bëjë publike lidhjen me Albertin para, sepse nuk kam dashur të merren mediat dhe portalet me mua ose thjeshtë me jetën e Albertit se nëse unë jam artiste dhe fytyrë publike, Alberti ka një profesion tjetër edhe tash nuk duhet ta vuajë ai këtë pjesën time, edhe të merren mediat me të. Kam dashur ta publikoja 1-2 javë para martesës por u anulua dhe për atë arsye mbeti kështu”- rrëfeu Shkurte Gashi.

/Panoramaplus.al

© Panoramaplus.al