29 Korrik, 2023

Luizi nis pushimet me mamanë dhe Kiarën, shpërthejnë akuzat për kopje të këngës së tij të fundit


Prej disa javësh, po pritej me shumë interes kënga e re e Luiz Ejllit. Edhe kjo këngë, ka qenë një dedikim për partneren e tij, Kiarën. “Dedikim”, menjëherë është mirëpritur nga fansat e shumtë, duke u klikua e dëgjuar pa fund. Edhe vetë modelja ishte pjesë e klipit, teksa u shfaq edhe në videoklip për disa sekonda ku shkëmbyen momente të ëmbla me njëri-tjetrin dhe një puthje në buzë.

Por, pas magjisë së këngës së re të dashurisë, kanë nisur edhe zbulimet e para. Ishte Zhaklin Lekatari, ish-opinionistja e “BBV” ajo që fill pas këngës së Luizit, publikoi në “InstaStory” një këngë të titulluar “Estate” nga Lorenzo Jovanotti. Vija melodike e dy këngëve dukej e ngjashme, gjë të cilën e nënkuptoi edhe Zhaklin me postimin e saj. Menjëherë kanë vijuar komentet, duke deklaruar se në fakt kënga ishte një kopje e pastër e “Estate”, duke bërë akuza të forta për Luizin, por edhe për stafin që ai ka realizuar këngën.

Deri më tani, vetë fituesi i “Big Brother” ka zgjedhur mos të reagojë në lidhje me këto akuza, duke u fokusuar tek shijimi i suksesit të tij më të fundit. Madje, në rrjetet sociale, ai ka folur rreth kësaj kënge, natyrisht pa prekur pjesën e akuzave se kënga është e vjedhur. E teksa kënga është pëlqyer shumë nga fansat e këngëtarit, ku ka komente të shumta pozitive, së fundmi Luizi ka treguar se dikush është bërë xheloze për faktin se ai i ka dedikuar një këngë Kiarës dhe ajo është nëna e tij.

Gjatë videos së publikuar në “InstaStory”, Luizi tregoi se po darkonte me Kiarën dhe të ëmën e tij, teksa tregonte me shaka se çfarë i kishte thënë kjo e fundit. Sakaq ai lajmëroi fansat se kënga e tij e radhës do të jetë pikërisht dedikimi për të ëmën. “Imagjino kaq e bukur ka qene kënga sa është bëra njëra xheloze. Më thotë je bërë 38-vjeç dhe nuk ma dedikove një këngë. Ka të drejtë, kjo është një paralajmërim se kënga e radhës do jetë për nënën. Si thonë amanetet e nënës. Ja ku e kam mbretëreshën. Femra më e bukur në univers, është më e bukura në botë”, u shpreh ai.

Shpesh në media është përfolur për raportin e tensionuar të Luizit me familjen e tij. Vetë si Luizi dhe Kiara janë përpjekur ti hedhin poshtë këto aludime. Megjithatë, nëna e këngëtarit është kthyer në Shqipëri, dhe po kalon disa ditë pushime me djalin dhe nusen e saj. Më herët, në intervistat e dhëna, Kiara e ka përshkruar marrëdhënien me vjehrrën si një raport shumë të mirë, duke mos lënë vend për aludime.

Moderatorja tregoi edhe takimin e parë me mamanë e Luizit dhe kritikën që ajo i bëri. Ndërsa theksoi se nuk do e kishte aspak problem që të jetonte me vjehrrën, pasi do e ndihmonte edhe me rritjen e fëmijëve. “Po patjetër që do jetoja me mamanë e Luizit, si do të rriten fëmijët, jam nënë e re dhe e dua një ndihmë nga vjehrra. Nuk e kam aspak problem, jam me traditat. Nuk jam natyrë që grindem, rri urtë. Ia bëj kafen mëngjes për mëngjes, çfarë të dojë ajo, ia bëj të gjitha. Vjehrra ishte shumë e mirë, i ngjante shumë Luizit, e putha e përqafova. Edhe ajo më puthi mua e më përqafoi. Kaluam shumë mirë. Më tha vetëm një gjë, “pse ma ke lënë djalin pa ngrënë atje brenda, s’ke gatuar njëherë një gjellë (qesh)”, tha moderatorja.

Megjithatë, këto pushime i kanë dhënë fund njëherë e mirë thashethemeve për një raport të tensionuar mes tyre. E teksa çifti shijon suksesin, duket se pak probleme i kanë sjellë edhe akuzat për kopjim të këngës më të fundit. Jemi të sigurt që në ditët në vijim, vetë Luizi do të reagojë në lidhje me akuzat e Zhaklinës, por edhe komentet në rrjetet sociale, duke treguar versionin e tij të historisë.

© Panoramaplus.al