4 Mars, 2022

Konflikti Rusi-Ukrainë/ Kush janë gazetarët shqiptarë që po raportojnë nga ‘vija e parë’ e luftës


U bëra një gazetar për t’iu afruar sa më shumë zemrës së botës!”- është një nga shprehjet më të famshme të Henry Luce që merr kuptim sidomos në këtë kohë kur Ukraina dhe fat ii gjithë botës është në gjendje kritike.

Ndonëse shteti ukrainas është një vatër e nxehtë pas pushtimit rus që ka shkaktuar dhe vijon të shkaktojë viktima, të plagosur, shkatërrime, emigrime e shumë frikë, disa nga gazetarët shqiptarë kanë treguar gatishmërinë dhe profesionalizmin për të shkuar në kufitin mes Polonisë dhe Ukrainës, të tjerë edhe në Ukrainë.

Kështu, gazetarja e “News24” Klodiana Lala është ndër të para që raportoi nga Przemyls, vetëm 8 km larg kufirit me Ukrainën e po ashtu e vetmja gazetare femër nga vendi ynë që i shkon kaq pranë luftës. “Është shumë e lehtë të hysh në Ukrainë, por tepër e vështirë të kthehesh. Karvani i makinave që presin në radhë është shumë i gjatë”, raportoi Lala. Gjatë këtyre ditëve ajo ka pasqyruar situatën në kampet e strehimit të emigrantëve ne shtetin polak që po ashtu shihet si një zonë e nxehtë që mund të preket nga lufta.

Me një foto nga qyteti i Ukrainës, Lviv, Blendi Fevziu ka treguar se ka vizituar nga afër një prej vendeve më të komentuar, Lviv. Edhe pse është më në perëndimin të Ukrainës, në kufi me Poloninë, ky qytet është i mbushur me barrikada të vendosura në të gjitha rrugët, pasi edhe aty rreziku është evident.

“Nga Lviv me dashuri”, ka shkruar Fevziu nga sheshi i qytetit rreth 70 kilometra nga kufiri me Poloninë në një postim në Instagram. Në kufirin mes Ukrainës dhe Polonisë ka qenë gjithashtu Drini Zeqo.

 

 

Po ashtu, edhe gazetari i “ABC News” Taulant Kopliku ka udhëtuar drejt Ukrainës. Ditën e sotme ai ka hyrë në terrorin ukrainas për të shkruar drejt qytetit Lviv. Ai tha se në kufirin ukrainas kishte një numër të madh autobusash me qytetarë ukrainas që po largohen nga vendi.

“Sapo kemi hyrë në Ukrainë, kemi mbërritur mbrëmë vonë në kufirin me Hungarinë dhe jemi ndaluar aty sepse kishte nisur shtetrrethimi. Duhej të prisnim në kufi, kishte një numër të madh njerëzisht që kishin zënë hotelet e zonës. Ishin shpërngulur nga lufta dhe prej 40 kilometrash nuk gjeje asnjë shtëpi të lirë. E njëjta situatë dhe në fshatrat kufitarë me Ukrainën.”-raportoi ai përmes një lidhjeje me Skype.

Në kufirin Poloni-Ukrainë prej ditësh ndodhet edhe Thimi Sarmaxhiu. Prej ditëve të para të luftës gazetari i “Zona Zero” ka raportuar nga qyteti i Przemyl.

Julian Kasapi dhe operatorin Endrit Myftari, të A2CNN, ndodhen po ashtu në Ukrainën e pushtuar nga Rusia. Ashtu si kolegët e tjerë, edhe Kasapi ka sjellë nga qyteti jetën ndryshe të qytetarëve ukrainas, të cilët ndihmojnë me të gjitha mundësitë rezistencën kundër ushtrisë ruse.

Kurse gazetari i “Top Channel”, Muhamed Veliu, ishte në shtetin ukrainas para se të niste pushtimi rus. Ai përcolli gjashtë ditë se çfarë ndodhte nga afër në frontin e një lufte që pritej të niste nga momenti në moment.

Gazetari i Top Channel në vijën e parë të frontit Ukrainë-Rusi - Top Channel

© Panoramaplus.al