26 Gusht, 2022

Luciano Pavarotti nderohet me yll në ‘Hollywood Walk Of Fame’, tenori shqiptar Saimir Pirgu shfaqet krah vajzës së tij


Saimir Pirgu ka marrë pjesë në ceremoninë ku Luciano Pavarotti, një prej tenorëve më të famshëm në botë, u nderua me yllin e tij në ‘Hollywood Walk Of Fame’, në Los Angeles. Në inagurimin e “tempullit” të ri të Pavarotti-t, mori pjesë e bija Cristina Pavarotti, e cila gjatë fjalimit tha se ndihej “akoma e trullosur” përballë këtij nderimi që i bëhej arritjeve të të atit.

“Mirënjohja jonë u shkon të gjithë atyre që e donin, e mbështetën dhe kontribuan në organizimin e këtij eventi në nder të babait tim. Kur mendoj për punën, suksesin dhe arritjet e tij, ndihen akoma e trullosur. Do të doja ta shprehja sesa shumë do kisha dëshirë që ai të ishte këtu sonte, por as yjet nuk kanë kaq shumë fuqi…”- u  shpreh e bija e të ndjerit, e cila shtoi se nuk kishte rëndësi sesa i lodhur ndihej i ati pas një koncerti, ai do t’i përgjigjej fansave duke i dhënë autografë për t’u siguruar që ata të mos ktheheshin me duart bosh në shtëpi.

Krah saj qëndronte Pirgu i cili publikoi edhe një video në llogarinë e tij të Instagramit nga ajo ditë. Ai shkruanL

“Fryma e tij. Teksa ecja drejt vendit tempull, ku do të inagurohej ylli i Luciano Pavarotti-t (më i shkëlqyeshmi mes asaj yllësie) përkrah vajzës së tij, Cristina ndjeva në ato çaste të më pushtojë një forcë e çuditshme, prej së larti, si erë hyjnore. M’u bë sikur eca mbi një shtrojë qiellore përkrah Luciano Pavarotti-t, si përkrah vetë Zotit, nën zërin e tij mahnitës që e mbuloi kryefund Los Angeles-in dhe u shtri përtej në univers… Këtë ditë gushti, bota dëgjoi zërin e Zotit.”

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Saimir Pirgu (@saimirpirguofficial)

Pavarotti kujtohet si një prej këngëtarëve operistikë më të mëdhenj të të gjithë kohërave, i cili i dhuroi botës plot 378 performanca në teatrot më prestigjioze botërore.

© Panoramaplus.al