Mbi një muaj nga zbulimi i skemës së mashtrimit të reperes Loredana Zefi në Zvicër, duket se situata po përkeqësohet në dëm të saj dhe bashkëshortit Mozzik. Prindërit e një fëmije të vogël tashmë, përveç reputacionit të dëmtuar në publik, rrezikojnë të mbeten pa asnjë para në xhep.

Edhe pse Loredana duket se ka zgjedhur që të vazhdojë qetësisht karrierën e saj, nga ana tjetër, ajo vazhdon të jetë nën hetim nga atuoritetet zvicerane për ngjarjen e bujshme të mashtrimit të një çifti zvicerian. E duket se, teksa javët dhe muajt kalojnë, detaje të reja dalin në dritë nga mediat zvicerane.
Portali zviceran “Zentraplus.ch” ka zbuluar se zyra e Prokurorit Publik ka dhënë urdhër që të bllokohen të gjitha llogaritë bankare të Loredanës, informacion ky i shpërndarë nga Gjykata e Kantonit të Luzernit. Ky vendim i autoriteteve është marrë për shkak të dyshimeve se pasuria e artistes ka prejardhje të dyshimtë. Por këtë vendim e ka kundërshtuar menjëherë Loredana, duke bërë kërkesë kundër bllokimit të llogarive të saj, një kërkesë kjo e hedhur poshtë.

Në një rast të tillë, ajo nuk mundet të përdorë llogaritë e saj bankare, duke mos mundur as të depozitojë dhe as të tërheqë para. Kjo gjë nënkupton që ajo mund të mos ketë para për të jetuar normalisht, apo për të paguar avokatin e saj.
Në këtë pikë, sipas medias zvicerane, artistja shqiptare ka bërë kërkesë që për rastin e saj të angazhohet një avokat shtetëror, i cili punon pa pagesë. Ndërkohë, hetimet vazhdojnë ende deri në një moment të papërcaktuar, që do të thotë se çifti duhet të gjejë mënyra të tjera për marrjen e parave në dorë.
U HOQ SI AVOKATE, SI U ZBULUA SKEMA E MASHTRIMIT TË LOREDANËS
Kujtojmë që arrestimi i Loredana Zefit, gruas së reperit të famshëm Mozzik, ishte lajmi më i bujshëm i para disa javëve në median shqiptare. Loredana u prangos pas denoncimit që i bëri një çift në Zvicër. Autoritetet e drejtësisë konfirmuan se ajo dyshohej për mashtrim, ndërkohë që e prangosën në shtëpinë e saj në Luzern. Raportimin e parë për këtë lajm e bëri gazeta “20min.ch.”.
Fjala ishte për një dëm të shkaktuar ndaj një çifti zviceran rreth të 50-ave, në vlerë prej afro një milion frangash. Loredana është e dyshuar për dëm financiar rreth 700,000 franga, kurse vëllai i saj Berati për 200,000 franga të tjera. Paratë pretendohet të jenë marrë përmes kanosjes dhe kërcënimit. Çifti i ka dhënë para kesh vëllait të artistes vitin e kaluar për një çështje, ndërsa më vonë ka hyrë në lojë edhe Loredana.

Reperja ishte paraqitur me një emër të rremë te çifti, duke u thënë se do t’ua kthente paratë në mënyrë të ligjshme. Sipas asaj që raportonte “20 Minuten”, një nga gazetat më të njohura në Zvicër, Loredana ishte paraqitur te çifti me emrin Anna Landmann, si avokate 29- vjeçare dhe hiqej se ishte e bija e një avokati të njohur në Zvicër me emrin Valentin Landmann.
Nga ana e saj, Loredana e refuzonte të ketë pasur këto makina, por fotografitë e radarit e kanë kapur atë brenda makinës. Pas këtij lajmi, mediat e Zvicrës njoftuan se Loredana u lirua pasi u mor në pyetje lidhur me akuzën në fjalë, pas arrestimit mbrëmjen e 7 majit, të martën. Sipas “RapUpdate”, zëdhënësi i Policisë, Simon Kopp, deklaroi faktin se Loredana ishte marrë në pyetje të martën dhe të mërkurën.

Më pas, Loredana bashkë me bashkëshortin e saj Mozzik u fotografuan në aeroport të rrënuar, ndërsa po ktheheshin për në Prishtinë. Por ndërkohë që reperja kthehej për në Kosovë, vazhdonin të dilnin të tjera akuza nga persona të tjerë, duke e kthyer këtë çështje në një serial të vërtetë mashtrimesh. E dyta ishte ish-shoqja, e cila deklaroi se edhe ajo ishte mashtruar nga Loredana.
Fotografja shqiptare nga Gjermania Dorentina V. kishte denoncuar në gusht të vitit 2017 Loredana Zefin dhe vëllanë e saj Qëndrimin po ashtu për mashtrim. E pas çiftit zviceran dhe mikeshës së Loredanës, reperen e ka akuzuar edhe avokati Valentin Landmann pasi, siç thuhet, Loredana është hequr si vajza e tij jashtëmartesore, duke u prezantuar me emrin Anna Landmann.
PANORAMA PLUS
© Panoramaplus.al
