4 Tetor, 2022

Look-u i Javës: Fustani ‘Coperni’ i Bella Hadid me spray! Një vështrim më i thellë në momentin që i mrekulloi të gjithë


Është momenti më i zhurmshëm i Javës së Modës në Paris deri tani. Të premten në mbrëmje, Bella Hadid mbylli shfaqjen ‘Pranverë-Verë 2023’ të labelit francez ‘Coperni’ me një fustan që u krijua para publikut live.

Supermodelja shkoi në pistë e veshur vetëm me të brendshme përpara Manel Torres – krijuesit të teknologjisë së patentuar të spërkatjes, Fabrican – dhe dy persona aplikuan një lëng të mjegullt që u shndërrua, pothuajse menjëherë, në një material të veshur.

Për gati 10 minuta, të ftuarit panë të mahnitur ndërsa Torres dhe ekipi i tij realizuan dizajnin e ‘Coperni-t’ në kohë reale. Për të përfunduar veshjen, shefja e dizajnit të labelit, Charlotte Raymond, doli në skenë dhe rregulloi dekoltenë ndërsa ajo ishte ende duke u tharë dhe i bëri një të çarë në njërën këmbë.

Fustani nuk kishte qepje. Dhe, nga larg, pëlhura dukej se lëvizte me lehtësi. Por kur Hadid përfundoi një xhiro rreth pistës, mund të shihej një teksturë e butë që të dukej si pikat e ujit.

“Ju mund ta vishni këtë, ta mbani si fustan dhe ta vendosni në një varëse rrobash. Por nëse nuk e dëshironi më, mund ta vendosni përsëri fustanin në lëng dhe menjëherë mund ta spërkatni përsëri”, drejtori kreativ i ‘Coperni’ dhe bashkëthemeluesi, Sébastien Meyer, tha për ‘CNN’ në atelienë e markës në Paris përpara shfaqjes.

Materiali inovativ ka qenë në zhvillim që nga fillimi i viteve 2000. Fijet e shkurtra lidhen së bashku me polimere natyrale dhe sintetike dhe më pas përzihen me tretës të lëngshëm që avullojnë menjëherë sapo aerosoli vendoset në lëkurë ose sipërfaqet e tjera, sipas një njoftimi për shtyp nga kompania britanike që qëndron pas teknologjisë. Struktura e pëlhurës mund të manipulohet gjithashtu sipas llojit të fibrave dhe agjentit lidhës të përdorur.

Ndërsa fustani nuk do të jetë në shitje, Meyer tha se ishte e rëndësishme të shtyheshin kufijtë e teknologjisë dhe dizajnit dhe të krijohej një moment që mund të hyjë në historinë e modës. Ata në audiencë dukeshin të impresionuar – duke përfshirë Kylie Jenner, Jeanne Damas dhe Alexa Chung, të cilët brohoritën me zë të lartë – ndërsa pamjet shpejt u bënë virale.

Ne nuk do të fitojmë para për këtë, por është më shumë një festë e inovacionit dhe të kesh momente të forta në modë, sepse ne jemi të pasionuar për të çuar përpara modën,” tha CEO dhe bashkëthemeluesi i Coperni, Arnaud Vaillant, përpara shfaqje.

‘Coperni’, i themeluar në vitin 2013, shpesh e ndërthur modën me artin, shkencën, teknologjinë dhe mjeshtërinë. Në fillim të këtij viti, marka u bë kryefjalë me një çantë dore prej xhami që Doja Cat e mbajti në ‘Grammy’. Çanta ka marrë emrin ‘Swipe’ sipas funksionit “rrëshqitje për të zhbllokuar” në iPhone. Në pistën e këtij sezoni, marka pariziane debutoi gjithashtu një version prej ari 18 karatësh të çantës që do të shkrihet pas shfaqjes për t’u përdorur në projekte të tjera. Ata që duan të blejnë një nga çantat e arit — të krijuara nga artizani Gabriele Veneri — mund ta bëjnë me porosi.

Për disa kritikë të modës, finalja e së premtes së markës riktheu shfaqjen e famshme të Alexander McQueen të Pranverës 1999, ku modelja Shalom Harlow, e veshur me një fustan të bardhë voluminoz, u lye me spërkatje nga dy robotë ndërsa rrotullohej në një pllakë rrotulluese. Si Meyer ashtu edhe Vaillant këmbëngulën, megjithatë, se nuk ishte një homazh për McQueen.

Meyer, i cili e quajti veten një “geek”, tha se ai zbuloi Fabrican në Internet dhe filloi të punonte me Torres rreth gjashtë muaj përpara se koleksioni të debutonte. Megjithëse teknologjia novator u zhvillua fillimisht për industrinë e modës, ajo ka aplikime të mundshme në sektorë të tjerë si kujdesi shëndetësor, ku është përdorur për të prodhuar maska ​​​​për fytyrën, veshje mbrojtëse, gips dhe fasha.

Diku tjetër në koleksionin e ri ‘Pranverë-Verë’ të ‘Coperni-t’, printime holografike me lule u shfaqën në copa vinili të ngjitura në xhaketa të montuara. Me kupat e sytjenave të riinterpretuara si kupat e shpatullave, veshjet e teknologjisë së lartë u kombinuan me pantallona të shkurtra me prerje të lartë, me bel të lartë dhe fustane bodycon – siç ishte veshur nga Kylie Jenner në shfaqje.

“Ne e bëmë këtë printim duke bërë një video të lulëzimit të një luleje,” shpjegoi Meyer. “Më pas bëmë disa foto nga videoja, e cila u vendos përmes një softueri për të krijuar printimin. Është shumë teknik dhe Coperni zakonisht nuk bën gjëra me lule sepse është shumë femërore për ne, por më pëlqen kontrasti i pëlhurë futuristike me romancën e luleve. Është një romantizëm modern.”

Koleksioni shfaqi gjithashtu një homaxh për fustanin e kuq të aktores Fiona Johnson në “The Matrix”, si dhe një seri xhaketash me shpatulla në formë kuti që i referoheshin siluetave të personazheve në lojën online Roblox.

Frymëzimi kryesor i Sébastien (Meyer) është inovacioni, qoftë teknologjia apo sfera dixhitale,” tha Vaillant për bashkëthemeluesin e tij. “Kështu që ai e ka gjithmonë këtë referencë.”

© Panoramaplus.al