
Dashuria është në ajër për Koço Kokëdhimën dhe bashkëshorten e tij Brixhida. Çifti i njohur është fotografuar rrugëve të Tiranës më i dashuruar se kurrë. Paparaci ynë e ka filmuar çiftin në momente romantike duke buzëqeshur e të përqafuar. Ish-deputeti dukej mjaft elegant dhe në super formë.

Ai kishte veshur një palë pantallona të bardha, kombinuar me një T-shirt të zi dhe një palë këpucë kafe. Nga ana tjetër, bashkëshortja e tij u shfaq me një stil më sportiv, duke veshur një palë pantallona blu, një T-shirt të bardhë dhe taka të zeza. Pamjet e saj ajo e kompletoi me një palë syze të zeza dhe një çantë të bardhë teksa duket se vitet nuk kanë kaluar për të.

Çifti i njohur jo rrallëherë është fotografuar, duke ecur dore-për-dore dhe të dashuruar si në fillimet e tyre. Ata janë shumë aktivë edhe në rrjetet sociale ku ndajnë shpesh me ndjekësit foto me njëri-tjetrin. Kohë më parë, Koço i bëri një surprizë shumë të bukur dhe romantike të shoqes duke i dërguar një video-mesazh gjatë një interviste televizive ku ajo ishte e ftuar. “Mirënjohës ndaj teje. U bëj thirrje të gjithë burrave dhe djemve t’i shprehin çfarë kanë për të thënë, pasi duhen thënë të gjitha?”, shpreh Koço për të shoqen. Brixhida e përlotur tha se burrat bëhen më të ndjeshëm me kalimin e viteve. “Koço është i rrethuar nga vajzat, tre të tijat, e shoqja dhe dy nënat e tyre, kështu që do s’do me vitet, në një mjedis të tillë është bërë kjo natyrë që ka sot. Koço beson shumë te vajzat. Madje, edhe në bizneset tona ne preferojmë dhe kemi më shumë vajza dhe gra sesa burra. Se vajzat janë më punëtore dhe të sinqerta?”, tha Brixhida.

Brixhida, me një veprimtari mbi 25-vjeçare në fushën e biznesit, ka treguar se përveçse një sipërmarrëse e zonja, bashkë me bashkëshortin e saj janë prindër të suksesshëm të tre vajzave. E ftuar sot në emisionin “Rudina”, në “Klan”, Brixhida Kokëdhima rrëfeu pak kohë më parë se të jesh biznesmene dhe nënë e tri vajzave nuk është aspak e lehtë. Ajo po ashtu zbuloi se bashkëshorti i saj donte një djalë, ndaj edhe planifikuan një fëmijë të tretë.

“Të jesh mama e tri vajzave është shumë bukur dhe shumë vështirë. Vajzat janë të ëmbla. Nëse je një grua e zakonshme, 2 apo edhe 3 fëmijë, mund t’i ndjekësh normalisht, por nëse je një grua biznesi është një lodhje e jashtëzakonshme, sepse më duhet ta ndaj kohën mes bashkëshortit, fëmijëve dhe punës. Për mua ka qenë ngarkesë shumë e madhe, por fëmija i tretë u bë me idenë që do të ishte djalë, sepse bashkëshorti im donte një djalë dhe prindërit e tij po ashtu. Unë nuk e kisha këtë ndjenjë, jam shumë e lumtur me vajzat. Era është fëmijë shumë i dashur. Diferenca me 2 fëmijë dhe me 3 fëmijë është shumë e madhe. Nuk është njëlloj. Është ngarkesë shumë e madhe. Era ka zgjedhur artin, mbaroi Juridikun, por nuk donte të vazhdonte Masterin. Ajo kishte një thirrje të fortë për të bërë kinematografi dhe shkruan publicistikë të shkëlqyer. Ne duam që të jetë e lumtur dhe të bëjë atë që ka dëshirë të bëjë. Unë jam shumë e lumtur me vajzat, sepse na duan shumë dhe na japin shumë kënaqësi. Besa me këngët e saj gëzon të gjithë shqiptarët, por edhe ne na qëndron shumë pranë. Ndërsa Bora bën një kujdes të veçantë për look-un tonë. Vajzat i kam trajtuar si shoqe, kam qenë mendjehapur dhe i kam gëzuar çastet me to. Këshilla ime për to ka qenë që të jenë të ndjeshme dhe të bëjnë diçka që e bëjnë mirë”, tha Kokëdhima.


