5 Janar, 2019

Kledi Kadiu provokon italianët, uron Vitin e Ri në shqip në emisionin e “Rai 1”


Balerini shqiptar Kledi Kadiu ka ndërtuar një karrierë mjaft të suksesshme në Itali.

Kledi nuk e ka pasur asnjëherë problem të tregojë me krenari origjinën e tij shqiptare, ndërkohë që urimin e Vitit të Ri 2019 e ka bërë në një mënyrë që nuk pritej.

Ditën e djeshme ai ka qenë i ftuar në emisionin më të ndjekur të pasdites, “La vita in diretta”, që është prezantuar nga moderatorët më të mirë italianë.

Balerini shqiptar ka folur për karrierën e tij në balet dhe televizion si dhe për jetën private, martesë nga e cila ka një vajzë, Lean. Në fund të emisionit, urimi i Kledit për Vitin e Ri tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, aq sa disa e konsideruan provokim për publikun italian.

Pavarësisht se ishte i ftuar në stacionin kryesor shtetëror në Itali, “Rai 1”, balerini vendosi të uronte në shqip të gjithë shqiptarët.

“Ju dërgoj urimet më të mira nga zemra. Gëzuar Vitin e Ri, ju puth shumë dhe vit të mbarë të gjithëve!”, ka thënë ai. Kohët e fundit Kledi Kadiu ishte për tre muaj i pranishëm në Shqipëri, duke qenë se ishte pjesë jurisë së spektaklit të kërcimit “Dance With Me”.

Edhe pse shpesh shfaqte probleme me shqipen, pasi prej vitesh ai jeton në Itali, duket se dashurinë për gjuhën e nënës ka vendosur ta shprehë në një mënyrë tjetër.

PANORAMA PLUS

© Panoramaplus.al