Balerini shqiptar, Kledi Kadiu dhe bashkëshortja e tij, Charlotte Lazzari, janë bërë prindër për herë të dytë, pasi ditën e djeshme çifti ka mirëpritur në jetë një djalë.

Lajmin emocionues e zbuloi vetë koreografi, i cili tregoi edhe emrin që kanë përzgjedhur për vogëlushin: Gabriel.
Ai publikoi në llogarinë e tij në Instagram një foto të dorës së Gabrielit të porsalindur, krahas së cilës shënoi emrin dhe datën e lindjes, duke ndarë kështu me të gjithë ndjekësit çastin e parë të ardhjes në jetë të vogëlushit.

Gabriel është bekimi i dytë i familjes Kadiu, pas Lea-s, e cila erdhi në jetë pesë vite më parë.

Në prill të këtij viti, balerini shqiptar Kledi Kadiu dhe bashkëshortja e tij, Charlotte Lazzari, zbuluan se do të bëheshin prindër për herë të dytë. Vajza e tyre, Lea, do të bëhej me një vëlla.
“Familja jonë do zgjerohet. Në gusht do vijë një gëzim i ri. Jemi jashtëzakonisht të lumtur”, – shkruante Kledi dhe pas saj, Lea zbuloi gjininë e fëmijës që do të vinte së shpejti në jetë.

Kledi dhe balerina i thanë “Po” dashurisë së tyre disavjeçare në një ceremoni përrallore që u mbajt në Itali në qershor të vitit 2018. Madje, në dasmën e tyre mori pjesë edhe vogëlushja Lea.


