Dikur, pjesë aktive e politikës. Sot, ish-ministrja e Integrimit preferon një jetë disi më të tërhequr nga politika. Flasim për Klajda Gjoshën, që mbetet ndër imazhet më të ekuilibruara në skenën politike. E njohur si një personazh gjithnjë brenda kornizave, këtë herë kemi mundur të sjellim një pamje tjetër të sajën. Fotografi ynë e ka fotografuar ish-ministren në rrugët e Bllokut, teksa e veshur me një fustan casual, ka vijuar me punët e saj të përditshme.

Prej kohësh, ajo u mungon mediave në daljet e saj publike, ndaj ishte tamam momenti që ta shihnim në një sferë tjetër të sajën, atë të së përditshmes. Si një ndër personazhet që ka folur më pak për jetën e saj private, intervista e saj e fundit daton në kohën kur solli në jetë fëmijën e saj. Klajda Gjosha ka folur shumë gjatë rreth shkollimit, studimeve jashtë, marrëdhënies me burrin e saj dhe karrierën politike. Ajo nuk ka lënë pa përmendur në këtë intervistë edhe lumturinë e saj më të madhe, djalin e saj Luisin. Ministrja tregon detaje rreth jetës së saj familjare dhe se si mundi të jetë një nënë e përkushtuar, ndërkohë që ka pasur një axhendë shumë të ngjeshur edhe me udhëtime jashtë vendit.
Klajda Gjosha mësoi se priste një fëmijë vetëm pak muaj pasi kishte marrë detyrën, pasi ishte martuar me Ardianin, burrin e saj. Ajo e ka gjetur që herët dashurinë e saj të jetës, në periudhën e gjimnazit. “Kam vazhduar normalisht deri në muajin e nëntë. Madje, edhe në muajin e nëntë kam pasur një fluturim të fundit sa më tha doktori ‘mjaft, tani’. Madje, madje, një mbrëmje para se të lindja, kam qenë në një mbledhje në Kryeministri. Në atë kohë ishte krijuar ‘Delivery Unit’, ku koordinoheshin gjithë rezultatet e qeverisë, mirëpo nga anglishtja duket sikur ishte ‘sektori i lindjes’ dhe unë bëja shaka dhe thosha ‘bëjeni gati Delivery Unit’, sepse ka mundësi të lind, nga moment në moment, Luisin”, tregon ministrja.

Më tej, ajo shton se vetëm pas 10 ditësh që lindi Luisin ka shkruar në punë, por edhe brenda javës së parë ka nisur të bëjë takimet me njerëzit. “Pas dhjetë ditësh, por brenda javës nisa të bëja takimet e para me njerëzit kryesorë të Ministrisë sepse volumi i punës në atë kohë ka qenë i madh. Sa ishte marrë statusi i vendit kandidat dhe ishin disa kritere, të cilat Shqipëria duhet t’i plotësonte dhe pjesa qendrore e koordinimit të punës është Ministria e Integrimit. Unë nuk kisha rrugëzgjidhje, aq më tepër që firma kryesore për të lehtësuar procedurat është e ministrit. Ose do jepja dorëheqjen sepse nuk mund të bëhesha pengesë”, shprehet Gjosha.
Më tej, ministrja e asaj kohe fliste edhe për jetën në Angli, si dhe vendimin që e riktheu në vendin e saj. “Dy vitet e para kanë qenë vitet më të vështira të jetës sime, duke filluar që nga momenti i parë. Unë isha mësuar të jetoja në kryeqytet, me shumë jetë, me shumë njerëz, ndërsa atje isha krejt e vetme. Familja ku qëndrova, jetonte në një qytezë fare të vogël në periferi, që kishte vetëm shkollën ku studioja dhe kisha shumë vështirësi të përshtatesha me kulturën e tyre familjare, me mënyrën sesi zonja e shtëpisë sillej me fëmijët e vet, ajo ftohtësia angleze, që jo se nuk kanë dashuri, por është kultura me të cilën janë rritur, është individualizmi që kultivojnë te fëmijët, gjë që unë nuk e pranoja dot, sepse isha rritur në familje shqiptare, me shumë tradita, me shumë dashuri, ku fëmijët përkëdheleshin, ku çdo gjë e shtëpisë ishte e tyre…

Dhe ishte një vend ku nuk kishte fare të huaj, vetëm anglezë të lindur aty, të rritur aty, prej shumë vitesh dhe unë u dukesha si një gjë e veçantë. Edhe kishin kuriozitet të mësonin për vendin nga vija, por edhe druheshin të më afroheshin dhe mua më është dashur shumë mund, shumë punë. Gjithashtu, në atë kohë nuk ekzistonin as celularët. Viti i parë ka qenë shumë i vështirë për mua sepse për familjen ku jetoja, komunikimi një herë në javë mjaftonte dhe më kujtohet e diela pasdite, kur ora pesë ishte për Ardianin dhe ora gjashtë për familjen.

Sa nuk rrëzohesha nëpër shkallë kur binte zilja e telefonit. Ishte një kulturë e rreptë angleze. Nuk bëhet fjalë për Londrën multikulturore, multinacionale, bëhet fjalë për një zonë angleze-angleze, siç e kemi parë në filmat e vjetër. Kam qenë në dilemën të kthehesha a të mos kthehesha. Unë universitetin e kam kryer në Reading, në një nga qytetet më të bukura të Anglisë, qytet universitar, me shumë të rinj, ku kisha shumë miq, isha integruar tashmë… megjithatë në dyjavëshin e fundit e vendosa që do të kthehesha sepse e shikoja që shanset e mia për të punuar në bazë të studimeve që kisha kryer dhe të bëhesha pjesë e administratës shtetërore britanike, ishin të vogla sepse duheshin kaluar shumë etapa. Ishte e vështirë për një anglez e më pas për një anëtar të BEsë, për të mos folur për një person jashtë Bashkimit Evropian”, shprehej Gjosha.
© Panoramaplus.al
