Këngëtarja Shakira ka zbuluar se është “sulmuar” nga dy derra të egër gjatë kohës që ishte në një park të Barcelonës bashkë me djalin e saj tetë vjeçar, Milan.

Sipas “The Sun”, artistja publikoi në rrjete sociale foton e çantës që kishte pasur me vete në ato momente, e cila ishte shkatërruar nga derrat e egër.
44-vjeçarja, partneri i së cilës është mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, tha për incidentin e çuditshëm në Instagram: “Shikoni se si dy derra të egër, të cilët më sulmuan në park, e kanë katandisur çantën time. Ata po e çonin çantën në pyll bashkë me telefonin që ishte brenda saj. Ata kanë shkatërruar gjithçka.”

Më pas ajo iu drejtua djalit të saj: “Milano, trego të vërtetën. Thuaj se si mami qëndroi para derrit të egër.”
Këngëtarja nuk dha detaje kur ose në cilin park ndodhi incidenti. As Shakira, emri i plotë i së cilës është Shakira Isabel Mebarak Ripoll, as djali i saj nuk ishin plagosur.


