11 Prill, 2023

Kim Kardashian tani do ta shikojmë si aktore në një serial horror, ja për çfarë bëhet fjalë


Kim Kardashian prej vitesh është një yll i reality show-t, nisur nga eksperienca me “Keeping Up with the Kardashians”, shfaqjen televizive ku është protagoniste bashkë me familjen e saj. Megjithatë që tani e tutje miliarderen do ta shohim edhe si aktore, pasi ajo i është bashkuar kastit të serialit horror, “American Horror Story”, në sezonin e tij të 12-të.

Lajmin e bëri me dije Ryan Murphy, bashkëkrijues i serialit, teksa në një deklaratë në rrjetet sociale ndër të tjera tha:  “Kim është mes yjeve më të mëdhenj dhe të shndëritshëm të televizionit në botë dhe jemi shumë të emocionuar që do t’i urojmë mirëseardhjen në familjen e “AHS”. Emma dhe unë jemi të lumtur për bashkëpunimin”, u shpreh producenti, duke ju referuar aktores Emma Roberts, e cila prej kohësh është liderja e serialit që do të nisë së shpejti sezonin e 12-të.

Ky sezon do të bazohet në librin që pritet të botohet, “Delicate Condition”, roman i zhanrit thriller, që trajton historinë e një gruaje që përndiqet nga një shpirt dhe nuk e lejon të mbesë shtatzënë. Libri në fakt nuk është publikuar ende dhe del në gusht të këtij viti, ndërsa seriali me shumë gjasë në 2023.

Edhe pse Kim ka aktruar më parë, sigurisht në reality show-n e saj dhe në disa paraqitje të vogla në film, pjesëmarrja në “AHS” është një hap shumë i madh, duke marrë parasysh edhe emrat e aktorëve që kanë qenë pjesë e tij, përmendim këtu: Lady Gaga, Evan Peters, si dhe Sarah Paulson.

Kjo do të jetë hera e parë që ky serial do të bazohet në një roman, pasi sezonet e mëparshme kanë qenë të frymëzuara nga “legjendat urbane” amerikane, teksa “American Horror Story” është një ndër shfaqjet televizive më afatgjata dhe fitimprurëse për Ryan Murphy, pasi është nominuar për më shumë se 100 çmime Emmy.

© Panoramaplus.al