21 Qershor, 2019

Këngëtarja shqiptare u përgjigjet atyre që e kritikuan për peshën: Ju nuk i dini historitë e të gjithëve (FOTO)


Për personazhet e njohur të ekranit është mjaft e vështirë që të kenë një jetë private. Madje në një farë mënyre atyre “nuk u lejohet” që të gabojnë apo të kenë “ulje e ngritje” si njerëzit e thjeshtë.

Kështu i ka ndodhur këngëtares së famshme me origjinë shqiptare, Bebe Rexha. Kjo e fundit është kritikuar nga fansat e saj se ka shtuar në peshë.

Teksa ka lexuar disa komente aspak të këndshme për peshën  saj, këngëtarja ka vendosur që të reagojë nëpërmjet disa postimeve në “Instastory”.

Bebe Rexha shprehet se është një gjë e shëmtuar që të gjykohen njerëzit, kur nuk e di se çfarë i ka çuar ata në një pikë të caktuar. Në postimet e saj, këngëtarja thotë se janë të shumta shkaqet si varësitë apo pirja e ilaçeve që të bëjnë të shtosh në peshë por që nuk e përcakton se cili është shkaku që e kanë bërë atë të shtojë disa kg.

“Më pëlqen të ha dhe nuk mund ta mohoj këtë. Por ju nuk i dini historitë e të gjithëve. Të shkuarën e njerëzve, varësitë e tyre, marrin apo jo ilaçe që i bëjnë të shtojnë në peshë. Depresioni. Kështu unë përpiqem të mos i gjykoj të tjerët. Por kjo më lëndon ndjenjat, sepse unë kam fituar shumë peshë, por është shumë e vështirë ta humbas”, shkruan Bebe në postimet e saj.

Gjithashtu këngëtarja ka zbuluar  se problemi i peshës ka qenë një problem për të që kur ka qenë një vajzë e vogël.

“Pesha ka qenë diçka e vështirë për mua, që kur kam qenë vajzë e vogël. Po është një rrugë e gjatë dhe unë nuk do të fshihem pas një guri sepse kam fituar peshë. Unë do të stërvitem dhe do të kem ditë të mira dhe ditë të këqija”, shkruan Bebe.

© Panoramaplus.al