Një mbrëmje magjike mund të quhet kjo e sotmja. Ashtu si ishte lajmëruar më herët, këngëtarja me famë botërore, Laura Pergolizzi, e njohur botërisht si LP ka mbajtur koncert në Tiranë.

Pallati i Kongreseve ishte mbushur plot me fansat e shumtë që artistja ka edhe në vendin tonë. Ashtu si shihet edhe në pamjet e siguruara nga Panorama Plus, atmosfera ka qenë elektrizuese nga performanca e PL. Biletat e këtij koncerti madhështor kushtonin nga 30 deri në 60 mijë lekë të vjetra për person dhe salla duket se i ka kaluar pritshmëri. Mbërritjen e këngëtares së famshme ndërkombëtare e lajmëroi ditë më parë kryebashkiaku Veliaj.
“Këngëtarja me famë botërore Laura Pergolizzi, e njohur si LP, vjen në Tiranë për super koncertin e saj me hitet më të njohura dhe të dashura për publikun”, shkruan në rrjetet sociale kryebashkiaku Veliaj. Koncerti suprizë i LP, do të zhvillohet ditën e diel, datën 9 tetor, ora 20:00, në Pallatin e Kongreseve”, lajmëroi Veliaj pak ditë më parë. Laura Pergolizzi, e lindur në Long Island, në 1981, nga prindër italianë, preferon të njihet me emrin artit LP. Vlerësohet për aftësi të larta vokale dhe mjeshtërinë e fishkëllimës artistike.

Megjithëse kishte vite që merrte pjesë në koncerte anembanë Amerikës, fama botërore i erdhi kur kënga e saj “Lost on you” kapërceu oqeanin dhe arriti Europën. Ajo është një nga 4 këngët më të kërkuara në aplikacionin Shazam. Emrin LP ajo e përdor edhe në jetën private, ku identifikon veten si gjini neutrale.
© Panoramaplus.al

