Këngëtarja Adele duket se ka gjetur lumturinë e vërtetë pas divorcit nga ish-bashkëshorti Simon Konecki. Artistja tha se lidhja me agjentin sportiv Rich Paul, është më e bukura në të cilën ajo ka qenë ndonjëherë.

“E kam pasur gjithmonë këtë frikë, që në moshë shumë të re, se do të më lënë, kështu që unë ose largohem ose nuk investoj në asgjë,”- tha ajo, sipas “Page Six”.
Por Adele zbuloi se me Paul, ajo “nuk ka më frikë nga vetmia”.
Artistja filloi të takohej me Paul gjatë verës, pasi paraqiti kërkesën për divorc nga Konecki në vitin 2019. Adele dhe Konecki, të cilët ishin bashkë që nga viti 2011, finalizuan divorcin e tyre në mars.

Megjithatë, Adele pranoi se ajo dhe Konecki kanë ruajtur miqësinë, ndërsa vazhdojnë të bashkëprindërojnë për djalin e tyre 9-vjeçar, Angelo. Ajo tha se e humbi veten në martesë dhe se nuk i pëlqente më personi në të cilin ishte kthyer.
Adele shtoi se divorci nga Konecki ishte i vështirë, pavarësisht se e dinte se ishte vendimi i duhur.

“Më trishtoi shumë. Të mendoje se shumë njerëz që nuk i njihja, e dinin që nuk ia dola… ishte diçka që më shkatërroi. U turpërova. Askush nuk më bëri të ndihem e turpëruar, por ndihesh sikur nuk ke bërë një punë të mirë.”,- tha ajo.
Pas divorcit Adele iu përkushtua karrierës. Ajo takoi dashurinë e jetës së saj, Paul, gjatë festës së ditëlindjes së një miku të përbashkët.


