2 Shkurt, 2019

Këngëtari i njohur deklaron për herë të parë lidhjen me Marsela Çibukaj: Ajo është muza ime


Këngëtari energjik i muzikës “rock”, Vitmar Basha, ka qenë dje i ftuar në emisionin “Lart e Poshtë”.

Gjatë programit, ai foli për koncertin e tij të mbajtur ditën e djeshme te “Teatri i kukullave”, ku prezantoi albumin e tij të titulluar “9”.

Ndër të tjera, Basha pranoi për herë të parë se është në një lidhje me këngëtaren e njohur Marsela Çibukaj dhe se motivi i tij për këtë album është pikërisht ajo.

Ai theksoi se Çibukaj ka qenë shtysa kryesore e gjithçkaje dhe e ka quajtur këngëtaren muzë të tij. Vitmari shtoi gjithashtu se albumi i nxjerrë së fundmi është një dedikim për Marselën, duke qenë se muzika është ajo çfarë e ka bashkuar dyshen.

Basha tha se këtë projekt do ta vazhdojë edhe në qytete të tjera, duke promovuar më tepër albumin e tij. Artisti i njohur ka jetuar në Itali për 15 vite, por në vitin 2009 u kthye sërish në Shqipëri për t’i dhuruar publikut shqiptar muzikë të mirë.

Ndër vite, ai ka prodhuar hit-e mjaft të pëlqyera, që vazhdojnë të dëgjohen edhe sot. Po ashtu, edhe Marsela u rikthye për karrierë në Shqipëri, pas disa vitesh jetesë me familjen në Itali.

PANORAMA PLUS

© Panoramaplus.al