Kur dy njerëz bien në dashuri, një nga dilemat më të mëdha që lind është: A do të zgjasë kjo marrëdhënie?

Një përgjigje e saktë për këtë pyetje nuk është gjithmonë e lehtë, por psikoterapistja Jourdan Travers dhe bashkëshorti i saj, psikologu Mark Travers, kanë përpiluar katër pyetje kyçe që mund të ndihmojnë çdokënd të kuptojë nëse ka gjetur partnerin e duhur dhe nëse marrëdhënia ka potencial të qëndrueshëm.
Jourdan Travers, punonjëse sociale klinike dhe drejtoreshë e Awake Therapy në Surf City, New Jersey, tha për TODAY.com se këto pyetje janë bazuar në studime shkencore dhe përvojën e tyre nga seancat e terapisë në çifte. Ato janë gjëra që njerëzit shpesh nuk i marrin parasysh kur janë të dashuruar, por që janë thelbësore për të kuptuar nëse ia vlen të investosh në një marrëdhënie.
“Shpesh herë, njerëzit nuk mendojnë domosdoshmërisht për këto aspekte kur janë në fazën e parë të dashurisë ose mund t’i anashkalojnë, por ato hapin derën për një bisedë të rëndësishme mbi atë që kërkojnë dhe atë që po kuptojnë — ose ndoshta nuk e kanë kuptuar ende,” shpjegon ajo.
Këto janë pyetjet që mund t’i bëni vetes për të kontrolluar forcën dhe qëndrueshmërinë e marrëdhënies suaj:
1. Nëse nuk do të ishit çift, a do të ishit miq të ngushtë?
Kjo pyetje synon të vlerësojë se sa mirë e njihni partnerin tuaj përpara se marrëdhënia juaj të bëhej romantike. Njohja dhe miqësia janë baza më e mirë për një marrëdhënie të qëndrueshme.
“Miçësia është një komponent i rëndësishëm i një marrëdhënieje të shëndetshme, sepse nuk ekziston marrëdhënie e përsosur dhe e lehtë,” thotë Travers. “Do të ketë ulje-ngritje, por nëse je mik me personin tjetër — nëse të ka pëlqyer ai apo ajo para se të bëheshit çift, KKatëherë ekziston një themel më i fortë mbi të cilin mund të ndërtohet marrëdhënia.”
Nëse përgjigja është “jo”, është e rëndësishme të mendoni pse zgjodhët këtë person si partner. A ishte thjesht një tërheqje fizike? Në këtë rast, “kjo kimi nuk është dashuri e vërtetë, por vetëm pasion ose obsesion” që shpesh nuk zgjat shumë, thekson Travers. Shpesh, njerëzit kanë pritshmëri jorealiste për dashurinë dhe marrëdhëniet.
2. A të pëlqen vetja kur je me partnerin/en tënde?
Partnerët e mirë nuk vetëm që duan njëri-tjetrin, por edhe mbështesin rritjen personale. “Të dashurit tanë mund të na frymëzojnë të bëhemi më të mirë dhe të rritemi në mënyra që nuk i kishim menduar,” shpjegon Travers. Ata na tregojnë besim, na lavdërojnë, na ofrojnë këshilla dhe janë mbështetës.
Nëse partneri yt nuk të bën të ndihesh mirë me veten, nëse është kritik, indiferent apo negativ, atëherë kjo marrëdhënie mund të jetë toksike. Një marrëdhënie e shëndetshme të ndihmon të rritesh dhe të bëhesh versioni më i mirë i vetes.
3. Nëse do ta dije që partneri yt nuk do të ndryshonte kurrë, a do të doje të ishe me të?
Kjo pyetje ndihmon të kuptosh nëse e pranon partnerin ashtu siç është, pa pritshmëri për ta ndryshuar. “Shumë njerëz mendojnë se mund të ndryshojnë tjetrin, por kjo është një iluzion,” shpjegon Travers. “Ne nuk kemi fuqinë për të ndryshuar njerëzit.”
Nëse përgjigja është “jo”, kjo mund të tregojë që marrëdhënia nuk është ajo e duhur për ty.
4. Kur ke lajme të mira, a je ti personi i parë me të cilin dëshiron ta ndash atë?
Kjo është një nga shenjat më të qarta të një marrëdhënieje të mirë. Ndarja e lajmeve të mira forcon lidhjen mes partnerëve dhe rrit ndjenjën e intimitetit, besimit dhe dashurisë.
Nëse përgjigja është “jo”, pyete veten pse. A ka dikush tjetër me të cilin preferon të ndash sukseset? A mund të ketë dikë tjetër në jetën tënde që ndikon në marrëdhënien?
Çfarë do të thonë përgjigjet tuaja?
Nëse përgjigjeni “po” të gjitha pyetjeve, kjo është një shenjë pozitive që marrëdhënia juaj ka një themel të fortë dhe është në rrugën e duhur për të qëndruar e suksesshme. “Do të ketë gjithmonë sfida, por duket se jeni të përgatitur të kaloni përmes tyre,” thotë Travers.
Nëse përgjigjet “jo” disa prej pyetjeve, kjo është një mundësi për të reflektuar dhe diskutuar më shumë për marrëdhënien tuaj. Nëse përgjigjet “jo” pothuajse në të gjitha, atëherë mund të jetë koha për një analizë më të thellë dhe për të rishqyrtuar marrëdhënien.
Travers paralajmëron se kjo nuk është domosdoshmërisht arsye për të ndërprerë menjëherë lidhjen, por një sinjal për t’u kujdesur dhe menduar mirë para se të vazhdoni.
© Panoramaplus.al
