Këngëtari Erik Lloshi dëshiron shumë të zgjerojë familjen e tij dhe të bëhet baba.

Artisti është shprehur se nuk ka ende asgjë konkrete por “me ndihmën e Zotit dhe sigurisht të tijën”, ai dhe bashkëshortja, Romina Sablic do bëhen shumë shpejt prindër.
“Ndihem shumë mirë, jam shumë i lumtur. Ka ardhur koha që të bëhem edhe baba shumë shpejt, akoma nuk kemi gjë konkrete por me ndihmën e Zotit lart dhe me ndihmën time (qesh) besoj do t’ia arrijmë qëllimit,”– tha këngëtari në një intervistë për “Ora Verore”.

Erik Lloshi foli edhe për karrierën e tij, teksa u shpreh se këngëtarët janë “goditur” shumë nga shteti.
Teksa bëri apel për zgjatjen e orës policore, artisti tha se pas pandemisë nuk kanë pasur asnjë mbështetje nga qeveria shqiptare ndaj i kërkoi që të paktën “t’i lërë të punojnë gjatë kësaj vere”.

“Shpresojmë që shteti të mos na godasë kaq shumë sa po na godet. Më shumë se kaq nuk ka ku të shkojë. Nga ora 22:00 na ktheu në 21:30, tani duket se do na kthejë në 21:00. Kjo nuk është vetëm në dëmin tonë por të gjithë njerëzve që mezi presin muzikën. Vijmë pas një kohe pandemia dhe nuk kemi shumë mbështetje nga shteti ynë i dashur për hir të vërtetës dhe për fatkeqësinë që na ndodh ne, por të paktën këtë verë të na lërë të punojmë ashtu siç duhet dhe të bëjmë njerëzit të kërcejnë e të argëtohen sa më shumë”,– u shpreh ai.

Erik Lloshi “sulmoi” edhe këngëtarët që blejnë klikime. Ai u shpreh se është “fatkeqësi që në vendin tonë ka menaxherë që nuk marrin vesh nga muzika por që kanë vetëm lekë nëpër duar për të sponsorizuar këngë që s’duhen dëgjuar nga veshi publikut”.

“Përmenda vetëm emrin e Don Xhonit, por ka shumë që hedhin nga 10 mijë euro sponsorizime dhe marrin 3-4 mln klikime në ditë, ose më saktë blejnë nga 10 mijë euro klikime. Sa të kemi menaxherë që nuk marrin vesh nga muzika por kanë vetëm lekë nëpër duar që të hedhin sponsorizime për këngë që nuk duhen dëgjuar nga veshi i publikut, është fatkeqësi edhe kjo,”- përfundoi Erik Lloshi.
/Panoramaplus.al






