4 Qershor, 2019

Jonida Maliqi “puzzle game” me Romeo Veshaj, në rrugë me kostumin që mbante në makinën e tij


Disa ditë pasi aktori i “Al Pazar” postoi foton duke udhëtuar me një vajzë që i mbuloi fytyrën, ja ku vjen Jonida dhe plotëson puzzle-in e fotos romantike në makinën e tij. Gjatë ditës së djeshme, këngëtarja ka postuar një foto në “Instagram”, ku shfaqet duke ecur në Tiranë me të njëjtin kostum të zi me vija të bardha, që shihet në foton e aktorit.

Duket se çifti po bën një lojë të vërtetë me ndjekësit për të zbuluar pak nga pak momente nga lidhja e tyre romantike. Jonida Maliqi dhe Romeo Veshaj tashmë po përfliten se janë në një lidhje dashurie, jo vetëm për faktin se aktori i ”Al Pazar” ishte një mbështetje e madhe për Jonidën në Eurosong, por edhe se janë parë shpeshherë bashkë në baret e Tiranës.

Disa ditë pasi “Panorama Plus” publikoi lajmin, Jonida me kthimin nga Tel Aviv u shpreh se “jeta ime personale dua të mbetet e tillë”, duke dhënë shenjat e para të konfirmimit. Ndërsa Romeo konfirmimin e tij e bëri me foton që fliste sa një mijë fjalë. Ishte po ashtu e premte dita kur ai vendosi të marrë vetë frenat e pranimit të lidhjes në publik, duke postuar një moment në makinë, gati për udhëtimin romantik në çift.

Duke dashur të ngacmonte kuriozitetin e ndjekësve, ai ka publikuar një foto në “Instastory”, ku shihej nën shoqërinë e një femre. Ai vendosi që të mbulonte fytyrën e saj me një emoji vajze brune, dhe të gjithë ndjekësit ishin të bindur se femra, që qëndronte pranë tij, është Jonida Maliqi.

Dy vite pas deklarimit të divorcit nga partneri prej 17 vitesh, Gent Prizreni, këngëtarja Maliqi ka hyrë në një episod të ri në jetën e saj. Fjalët për fillimin e lidhjes me Romeo Veshaj e “Al Pazar” nisën gjatë muajit nëntor 2018. Gjithçka nisi kur Romeo kishte postuar një foto me një vajzë misterioze me flokë të zeza, për të cilën mediat aluduan dhe atëherë se ajo vajza ishte pikërisht këngëtarja e famshme, Jonida Maliqi.

Më pas, portalet u përpoqën të vërtetonin këtë fakt duke gjetur lidhjen e ambienteve të njëjta të postimeve që bënin në profilet e tyre në “Instagram”, si Jonida ashtu dhe Romeo. Gjatë këtyre muajve ata nuk e mohuan lajmin, por as folën publikisht për marrëdhënien e tyre, duke ia lënë kohës zbardhjen e së vërtetës. E duket se Romeo i është rikthyer sërish zakonit të postimeve me Jonidën, si për t’i hedhur benzinë zjarrit, e për ta vazhduar kuiz-in me median për të zbuluar misterin e vajzës misterioze që ai po shoqërohet.

Romeo njihet si Montana i “Al Pazar” bashkë me vëllain Donald Veshaj në rolin e Montelës. Vitin e kaluar, mediat shkruanin se ai dhe vëllai, përveç punës në televizion, prej vitesh investonin paralelisht në një biznes, një bar në qendër të Tiranës. Ai hyri i vetëm në botën e spektaklit, por u bë edhe më i suksesshëm kur atij iu bashkua vëllai binjak, Donaldi. Nuk dihet nëse Universiteti i Arteve është dhe ambienti ku ai mund të jetë njohur me Jonidën, e cila po ashtu ka punuar si pedagoge, krahas karrierës artistike si këngëtare. Ndërkohë, le të presim të premten tjetër se cili do të jetë postimi i radhës nga ata të dy.

PANORAMA PLUS

 

© Panoramaplus.al