Jennifer Garner, ish-bashkëshortja e Ben Affleck, dhe Jennifer Lopez e kaluan së bashku festën e Halloween-it. Aktori dhe Lopez po merreshin me fëmijët e tyre, kur në horizont u shfaq edhe Garner.

“Të gjithë shkojnë mirë dhe fokusi është gjithmonë te fëmijët. Jennifer, Ben dhe Jennifer Garner donin që fëmijët të kalonin një Halloween të mrekullueshëm,“- tha një burim për “People”. “Fëmijët janë miq me njëri-tjetrin dhe donin të luanin së bashku. Për këtë arsye qëndrimi bashkë merr kuptim.”
Burimi shtoi se aktorit i duhej të punonte të hënën, kështu që “ata donin të shijonin një fundjavë familjare”. Një burim konfirmoi për “Page Six” se Affleck dhe Garner kishin kaluar kohë së bashku me fëmijët e tyre në kafenenë Huckleberry në Santa Monica mëngjesin e asaj dite.

Affleck dhe Garner, të dy 49 vjeç, kanë tre fëmijë: Violet, 15 vjeç, Seraphina, 12 vjeç dhe Samuel, 9 vjeç. Ata u martuan në qershor 2005 dhe njoftuan ndarjen e tyre në qershor 2015. Ata u divorcuan në tetor 2018.
Lopez, 52 vjeç, ka binjakët 13-vjeçarë Max dhe Emme me ish-burrin Marc Anthony, me të cilin ishte e martuar nga qershori 2004 deri në korrik 2011.
Këngëtarja dhe ylli i “Gone Girl” rindezën romancën e tyre në prill pas ndarjes së saj nga i fejuari Alex Rodriguez.


