7 Qershor, 2019

“Jeni baba xheloz për vajzat?”, Blendi Fevziu rrëfen si do reagonte nëse ndonjë djalë do i lëndonte (FOTO)


Shkrimtari dhe gazetari i njohur, Blendi Fevziu, ka dhënë së fundmi një intervistë për revistën “Bordo”, ku ka folur për fëmijërinë e tij, për raportin që ka patur me babanë.

Gjithashtu Blendi ka folur edhe për marrëdhëniet me vajzat e tij, veçanërisht me vajzën e madhe, Mishel. Gazetari është shprehur se është një baba i vëmendshëm dhe aspak xheloz.

Çfarë fëmije keni qenë, i pëlqenit festat?

Më pëlqente shumë kur kishte njerëz në shtëpi, që festonin apo jo. Mjafton që shtëpia të ishte plot. Festat nuk besoj se më kanë pëlqyer, madje histeria e sotme e festave kolektive më lodh.

Çfarë vendi zë fëmijëria në jetën e një njeriu?

Periudhën kur merr vulë e ardhmja e gjithsecilit. Më tej shumë gjëra varen nga fati, por përveç tij, në fëmijëri projektohet e ardhmja e gjithsecilit.

Jeni një baba i rreptë, i butë apo më shumë i vëmendshëm?

I rreptë jo. I vëmendshëm relativisht. Por asnjëherë i fiksuar.

A jeni natyra e babait që keni ndërruar pelena, qëndruar natën zgjuar kur vajzat kanë qenë sëmurë, i keni ushqyer… apo ja keni lënë mami Inesit këto detyra?

Jo, në përgjithësi s’kam bërë asgjë nga këto. Veç rasteve kur ka pasur ndonjë shqetësim shëndetësor që kam qenë i pranishëm padyshim.

Po ju si e keni pasur raportin me babain, a mund të bëni një përshkrim të portretit të tij si prind?

Raport normal dhe shumë miqësor. Mbi të gjitha ka qenë që prej adoleshencës një bashkëbisedues për tema politike, letrare apo të zhvillimit historik. Këto biseda merrnin dhe marrin një pjesë të madhe të kohës që rrimë bashkë. Dhe më kënaqin.

Çfarë keni marrë nga babai juaj përsa i takon prindërimit?

Nuk kam bërë ndonjë analizë kaq të thellë. Por besoj jam më i bindur që fëmijet duhen lënë vetë të çajnë në jetë. Pa proteksionizëm.

Po ndonjë këshillë që ju kujtohet e cila asokohe ju dukej e tepërt, e sot e shihni të drejtë?

Pothuaj të gjitha këshillat e prindërve me kalimin e kohës rezultojnë të drejta dhe të nevojshme. Zakonisht këshillat e tij kishin të bënin me të ardhmen time dhe me zgjedhjen e profesionit. Ai kishte më shumë pasion që unë të zgjidhja shkencat ekzakte, por unë zgjodha ato shoqërore.

Nëse do të bëjmë një udhëtim pas në kohë kur ju kishit moshën e fëmijëve tuaj, cilat janë ato detaje që nuk shlyhen nga kujtesa, si lojërat, veshjet, ushqimet?

Asnjëra nga këto. Fëmijërinë time e ka shënjuar përkujdesja e stërgjyshes, motrës dhe një kushërirës së saj. Qenë tre plaka të fisme të diplomuara në Vienë dhe Firenze pas luftës së parë botërore dhe që kishin një horizont për botën shumë më të gjerë se sa shumica e njerëzve të lindur dhe të rritur nën regjimin komunist. Ato qenë guida ime e parë në jetë dhe e paharruar.

Çfarë do të donit t’u sillnit dhe fëmijëve tuaj, nga koha e vegjëlisë tuaj?

Pikërisht këtë që thashë më sipër. Sapo kam mbaruar një libër për fëmijërinë time mes këtyre 3 plakave të jashtëzakonshme dhe filozofinë me të cilën ato përballnin jetën. Sidomos në fund të saj, kur ato kishin luksin të bënin bilancin se çfarë kishin bërë mirë dhe keq në jetë dhe të ma ofronin çdo korrigjim të saj në formën e këshillave për mua. Libri besoj do të botohet shpejt dhe për mua është libri më i mirë që kam shkruajtur.

Çfarë dëshironit të bëheshit kur ishit fëmijë?

Nuk kam pasur një ide të veçantë. Në adoleshencë doja të bëhesha shkrimtar dhe thuajse një gjysme ëndrre e kam të realizuar.

A ka diçka që keni dashur gjithmonë ta bëni por nuk e patët asnjëherë mundësinë? Ka Fevziu një peng?

Që ditën e parë të punës sime kam bërë atë gjë që kam ëndërruar të bëj. Këtë e kam konsideruar pasurinë time më të madhe. Kam dashur të jem gazetar dhe jetoj si gazetar. Kjo më mjafton. Nuk kam ndonjë peng. A po, kam pasur ëndërr të ngjitem një herë tek Kali i Skënderbeut në shesh, kur isha fëmijë. Dhe u ngjita një ditë para 2 vitesh kur po restaurohej.

Si kalohej një fundjavë në kohën kur Blendi kishte moshën e Mishel?

Në rrugicën përpara shtëpisë duke luajtur futboll ose duke folur për futboll.

blendi-fevziu

A ka përplasje brezash mes jush dhe Mishel? Për çfarë debatoni më shumë?

Ka padyshim. Por nuk para kemi debate sepse është e kotë. Ajo i takon një brezi tjetër shumë ndryshe nga i imi. Gabimi më i madh është ta analizosh atë me eksperiencat e fëmijërisë sonë.

Çfarë ju bezdis apo ju bën çudi në mënyrën e jetesës së adoleshentëve të sotëm?

Disi mungesa e jetës në komunitet. I shoh që edhe kur janë bashkë janë secili me celularin e tij.

Jeni ju një baba xheloz për vajzat? Flet vajza juaj e madhe me ju për çështjet e zemrës?

Jo nuk flet. Dhe as e pyes. Por nuk jam fare xheloz.

Nëse ajo do t’ju rrëfente se një djalë e ka lënduar çfarë do të bënit ju?

Besoj do t’i sugjeroja që të mësohet t’i përballë vetë situatat e saj në jetë dhe mbi të gjitha, të mos ju qahet dhe të mos presë zgjidhje nga të tjerët.

blendi2-620x350-1-735x400

Blendi është baba që u plotëson dëshirat vajzave apo i vini limite?

Kjo hyn tek dobësitë e mia, zakonisht jua plotësoj. Natyrisht nëse janë brenda kërkesave normale.

Jeni prindi që projektoni të ardhmen e fëmijëve tuaj, apo do t’ua lini në dorë atyre?

Pa asnjë dyshim. Mund t’i këshilloj, por vendimin në fund duhet ta marrin vetë. /Revista Bordo/

© Panoramaplus.al