Gazetari Aleksandër Furxhi dhe ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e kanë mbajtur jetën e tyre private larg vëmendjes së mediave.
Por në një rrëfim të rrallë në emisionin “Vizioni i pasdites” gazetari rrëfeu njohjen me Kumbaron dhe historinë e tyre të dashurisë.

“Kemi qenë studentë, jemi bashkëmoshatarë në fakultetin e gjuhëve të huaja në vitet ‘80. Jemi njohur si studentë dhe prej shumë vitesh jetojmë bashkë.
Jemi të brezit kur njiheshe edhe në shkollë, në aksion, në zbor, sepse ne jemi të kohës së zborit. Kjo ka qenë, jemi bashkëstudentë,”- tregoi ai.
Gazetari zbuloi se ndajnë gjithçka me njëri-tjetrin dhe se janë shokë të mirë.
“Sigurisht për arsye të profesioneve që i kemi të përafërta ndajmë çdo gjë nga jeta e përditshme, politika, çfarë janë zhvillimet e aktualitet në vend. Konsultohemi me njëri-tjetrin për çdo gjë që ka të bëjë me jetën tonë profesionale. Kjo është e pashmangshme. Jemi gjithë kohës kritik ose nxitës të njëri-tjetrit. Jemi shokë të afërt, ia themi njëri-tjetrit kritikat çfarë na pëlqen dhe çfarë jo,”– u shpreh ai.
Ndërsa tregoi sesi është ndjerë kur bashkëshortja e tij është sulmuar: “Nuk më ka ardhur mirë, nuk është sulmuar shumë, nuk e kemi ndierë ndonjëherë veten viktimë me thënë të drejtën.
Por sigurisht kur sulmohesh me shpifje dhe me fjalë të rëndomta që në politikën shqiptare ndodh shpesh dhe nuk ta kursen njeri banalitetin, sigurisht nuk të vjen mirë, por ndoshta mendon që nuk je as i pari e as i fundit në këtë situatë.
Duhet kaluar, duhet përballuar dhe nga momenti që merr disa përgjegjësi duhet të presësh edhe kritika edhe sulme, edhe të pavërteta.”
Aleksandër Furxhi rrëfeu edhe arsyen pse ka vendosur që jetën personale ta mbajnë private.
“Të dy kemi pasur jetë publike që herët dhe kemi pasur prirje për të mos e ndarë jetën private me median. Kanë qëlluar dhe fëmijët tanë ta kenë me qejf këtë pjesë. Fëmijët kanë jetën e tyre, u pëlqen që kemi bërë këtë zgjedhje,”- tha ai.
© Panoramaplus.al
