22 Korrik, 2022

“Jemi ftohur, për hir të vajzës…”- Rudina Hajdari flet për bashkëshortin dhe komenton foton virale me bikini: Ushtrohem mos të zhgënjej në plazh


Ish-Deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari, ka folur së fundmi për raportin e saj me bashkëshortin, dhe ndikimin që ka largësia në marrëdhënien e tyre.

Gjatë një interviste të dhënë ditën e sotme në “Wake Up”, ish-deputetja tha se jetesa në dy vende të ndryshme, që ka nisur që në vitin 2017, ka sjellë një ftohje mes saj dhe bashkëshortit, i cili jeton në SHBA. Ajo shtoi se të dy po mundohen të bëjnë më të mirën për raportin mes tyre për shkak të vajzës.

“Është shumë e vështirë sepse që në 2017-tën kemi këtë histori që jemi larg njëri-tjetrit dhe kjo ka krijuar një ftohje në marrëdhënie. Por që ne mundohemi të bëjmë më të mirën sepse kemi edhe një vajzë, dhe kjo e bën pak më të komplikuar le të themi dhe duke marrë parasysh që vajza po rritet dhe kupton akoma më shumë, mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme. Por që largësia bën të vetën, nuk është njësoj sikur të isha në Amerikë, por si çdo njeri që ka dëshirë të ndjekë ëndrrat e veta dhe unë zgjodha këtë rrugë. Sigurisht edhe atij nuk i vë faj sepse ka investuar në Amerikë prej më shumë se 20 vitesh. Ai është shqiptar, por ka shumë vite atje. Kur u ktheva në 2017 kishe 17 vite që nuk kishte ardhur, kur erdhi këtu nuk po ambjentohej sot”- tha Rudina Hajdari, duke shtuar se sipas saj edhe nëse nuk ka më dashuri në një martesë, respekti është ai që i mban dy njerëz bashkë.

“Unë nuk hyj nga ato gra që identifikohem nga martesa. Profesioni im ka luajtur një rol shumë kyç në jetën time dhe ka ndikuar në këtë aspekt. Nuk mund t’i kesh të gjitha në rregull. Mendoj që mbi dashurinë dhe mbi raportin martesor, thelbi është respekti. Edhe nëse ikën dashuria ose largësia bën të vetën, larg syrit larg zemrës, respekti është ai që i mban dy njerëz bashkë”- tha ajo.

Ish-deputetja nuk i shpëtoi as pyetjeve në lidhje me foton e saj, tashmë virale, me bikini në plazh. Duke folur për format e saj në foto, ajo theksoi se merret shumë me aktivitet fizik dhe palestër, por edhe genet luajnë një rol.

“Ka të bëjë edhe geni dhe trashëgimia. Kam përshembull imazhin e tim ati që ka qenë edhe aktor, pastaj pasi u fut në politikë u shëndosh, i ranë flokët. Politika të deformon (qesh). Jemi në 2022 dhe mënyra se si ne duhet t’i tregojmë publikut është një model i mirë. Dua që ta mbaj fizikun që edhe kur të më shohin në plazh mos të zhgënjehen”– tregoi Hajdari.

Pak kohë më parë ajo publikoi një video teksa po stërvitet në palestër. E veshur sigurisht sportive, me një kostum ngjyrë jeshil dhe me flokët e kapura, ish-deputetja po ushtrohej duke bërë pompa.

© Panoramaplus.al