2 Shkurt, 2019

“Jam e vrarë dhe e dërrmuar”, Elvana Gjata thyen heshtjen pas vrasjes në Bllok


Ashtu siç “Panorama plus” e kishte parashikuar në një shkrim të publikuar dy javë më parë, këngëtarja Elvana Gjata po përgatitet seriozisht për të bërë rikthimin e saj në jetën publike.

Ajo nuk pati asnjë lloj komunikimi për rreth 4 muaj, që kur ndodhi ngjarja tragjike në ish-Bllok, aty ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën disa të tjerë dhe ku ishte i implikuar i fejuari i saj dhe mbi të gjitha ku thuhej se shkak u bë një skenë xhelozie pikërisht për të.

Sipas informacioneve tona, Elvana po përgatitet për një rikthim me aktivitet shumë të ngjeshur artistik. Siç kemi shkruar më parë, në fillim ajo do të shfaqet me 14 shkurt në Tiranë për premierën e filmit “Dy gisht mjaltë”, një komedi ku personazhet kryesorë janë Elvana Gjata dhe Ermal Mamaqi.

Për këtë komedi, të dy artistët ishin shumë entuziastë dhe mezi po prisnin që ta ndanin me publikun këtë “aventurë” të tyre kinematografike. Por këngëtarja nuk mund të shfaqej para publikut pas 4 muaj mungesë, pa pasur një komunikim paraprak, qoftë edhe virtual, në respekt të gjithë asaj dashurie dhe përkrahjeje që publiku i ka falur dhe e ka bërë atë që është sot, një këngëtare shumë e dashur dhe shumë e suksesshme.

Për këtë arsye, Elvana ka menduar hapin e parë të rikthimit, me një status në “Instagram”, të shoqëruar me një foto ku këngëtarja shihet në një studio muzikore, e veshur me të zeza, thjesht, me flokë dhe pamje të pakuruar shumë, çdo detaj për të shprehur dhimbjen dhe trishtimin që ka përjetuar gjatë kësaj kohe.

Por fjalët kanë qenë ato që e kanë treguar më së miri gjendjen e saj shpirtërore. Më poshtë keni statusin e plotë të Elvanës: “Nuk e kam aspak të lehtë këtë moment, por e kuptoj që më duhet t’i them dy fjalë, pasi u detyrohem shumë të gjithë atyre që çdo ditë më kanë shkruar duke më pyetur për shëndetin, e duke më ofruar mbështetjen e tyre… kolegë, miq, të afërm, dhe sigurisht ata që kurrë nuk më kanë braktisur e kurrë nuk kanë reshtur me dashurinë e tyre ndaj meje dhe muzikës sime, fansat e mi.

Po… kam kaluar një periudhë shumë të vështirë… fizikisht dhe moralisht… e dërrmuar dhe e vrarë nga fjalë, fjalë, fjalë… edhe më shumë sesa unë në këtë moment mund të shpreh me fjalë… Kurrë në jetën time s’i kam dashur keq askujt…ajo që kam dashur gjithmonë është të shoh veç lumturi, kudo ku kemi qenë bashkë, në çdo koncert e çdo video që ju keni publikuar me kënget e mia. Nuk e kam aspak të lehtë, por ju kam ju… e do vazhdoj të bëj atë, për të cilën më keni dhuruar kaq shumë dashuri në më shumë se 10 vjet e pa të cilën nuk di a mund të jetoj…”, përfundon statusin e saj Elvana.

Nëse do të bëjmë një analizë të statusit të saj, Elvana kërkon nga publiku që pas kësaj që i ka ndodhur, të vijojë ta mbështesë dhe të mos e paragjykojë. Mbi të gjitha kërkon që të mos flitet për të mbi ngjarje që nuk kanë lidhje me karrierën e saj. Elvana gjithashtu thekson se ajo që e ka vrarë nuk është ngjarja në vetvete, por impakti që ajo krijoi në publik, (..kam kaluar një periudhë shumë të vështirë… fizikisht dhe moralisht… e dërrmuar dhe e vrarë nga fjalë, fjalë, fjalë).

Po a ishte e mundur që media dhe publiku të mos flisnin për një ngjarje si kjo dhe pse jo, të mbanin edhe ndonjë qëndrim? Në tetor të vitit të kaluar, në ish-Bllok ndodhi një ngjarje nga më tronditëset sepse u bë luftë në zemër të Tiranës, por dhe nga më intrigueset, pasi ngjarja kishte brenda shumë elementë; emra personazhesh të njohur siç ishte Elvana, zbulimi i identitetit të fejuarit të saj, të cilin ajo e kishte fshehur për shumë kohë, implikim i emrit të tij në ngjarje me fund tragjik ku humbi jetën një person dhe u plagosën dy të tjerë dhe në fund aludime se e gjitha kjo po bëhej për probleme që lidheshin me trafiqe droge dhe përplasje mes grupesh rivale.

Dhe nëse e gjitha kjo histori është fjalë, fjalë, fjalë siç thotë Elvana, në fakt për publikun dhe sidomos për njerëzit që e duan shumë si artiste, është shumë më tepër se kaq. Prandaj do ishte e udhës që në këtë rast të pyesnim Elvanën nëse do t’i japë sqarime më të detajuara për atë ngjarje publikut që ajo e do aq shumë, apo gjithçka u mbyll me këtë status në “Instagram”?

Në fakt, sipas informacioneve tona, ka pasur një dëshirë të Elvanës për t’u shfaqur në një media dhe për të folur mbi këtë çështje. Nuk e dimë nëse qëndron akoma si ide apo tashmë mendon se nuk ia vlen, pasi ngjarja nuk është më aq aktuale dhe dalëngadalë mund të kalohet në harresë, sepse siç thuhet rëndom, shqiptarët harrojnë shpejt. Gjithsesi, plani i radhës i Elvanës, sipas informacioneve tona, do të jetë lançimi i një albumi të ri, i cili me siguri do të bëhet pas prezantimit të filmit “Dy gisht mjaltë”.

Elvana këto kohë ka qëndruar në një vend të Europës ku ka punuar për albumin e saj të ri dhe me siguri do të nisë ndonjë tur për ta promovuar atë. Ndërkohë, nuk dihet sesi do të shkojë jeta e saj private pas ngjarjes së Bllokut dhe është e sigurt se nga Elvana nuk do të mësojmë asgjë rreth kësaj teme, ashtu siç nuk mësuam as identitetin e djalit, me të cilin ishte fejuar dhe publiku e mësoi nga një lajm i kronikës së zezë. Në përfundim mund të themi se pavarësisht të gjithave, rikthimi i një artisteje si Elvana Gjata, pa dyshim që është një lajm i mirë për adhuruesit e saj dhe ne i urojmë suksese në karrierë, por edhe në jetën private.

 

PANORAMA PLUS

© Panoramaplus.al