Modelja shqiptare Angela Martini, vetëm një vit më parë realizoi një celebrim përrallor me bashkëshortin e saj, Dragos.
Ajo ka zbuluar se që prej asaj dite e deri më sot, është shumë e dashuruar dhe e lumtur. Madje ajo rrëfen se dëshiron që të bëhet nënë.

Së fundmi Angela ka dhënë një intervistë për “revistawho.com”, ku është pyetur për marrëdhëniet me vjehrrin dhe vjehrrën.
“Marrëdhënia ime me prindërit e Dragos është e jashtëzakonshme. Ata janë engjëj! Jam e bekuar që i kam. Verën e kaluar ata vizituan Shkodrën dhe kaluan një javë me prindërit e mi, pa mua dhe Dragos-in. Ata e pëlqyen dhe e kuptuan shumë mirë njëri-tjetrin, njësoj si një familje e vërtetë”, tha Martini.

Ndërsa kur erdhi momenti të fliste për marrëdhënien e bashkëshortit me prindërit e saj, ajo rrëfeu një histori që rrallëherë ndodh që ta dëgjojmë në ditët e sotme.
Në periudhën që dyshja kishte qenë në muaj mjalti, nëna e Angelës ishte sëmurë në Shkodër.

“Vitin e kaluar, ndërkohë që ne ishim me muaj mjalti në Seychelles, nëna ime ishte me pushime në Shkodër dhe u sëmur dhe nuk më tha asgjë për disa ditë, sepse nuk donte të më shkatërronte muajin e mjaltit, veprim tipik mamash. Më pas zbulova se sa e sëmurë ishte dhe se jeta e saj ishte në rrezik.
Dragos e kuptoi përpara meje se sa serioze ishte situata dhe më tha: ‘Fokusohu dhe më dëgjo mua. Së pari, në këtë sekondë dërgoje në spital tek doktori më i mirë në Shkodër, Dr. Besmir Grizhja. E dyta, më trego rezultatet e analizave të gjakut dhe të gjitha analizave të tjera që do marrësh nga doktori. E treta, thuaji nënës se duhet të largohet nga spitali për 3 orë, sepse një avion privat i pajisur me çdo mjet mjekësor dhe një doktor do ta marrë për ta çuar në Zyrih dhe një ambulancë do e presë në aeroportin e Zyrih-ut për të shkuar në Spitalin Universitar të Zyrih-ut, ku po e presin një grup mjekësh.
Pasi nëna ime arriti në Spitalin Universitar të Zyrih-ut nuk pati asnjë përmirësim dhe ne nuk ishim plotësisht të kënaqur me mjekët. Dragos nuk donte të ndërmerrte ndonjë rrezik dhe arriti ta transferonte me një ambulancë në spitalin më të mirë privat në Zvicër, ‘Hirslanden’. Atje ajo u trajtua nga profesorët më të mirë dhe pas 2 orësh u ndje më mirë dhe u shërua plotësisht. E gjitha kjo u bë nga ne, si skuadër, duke folur në telefon nga një ishull në Seychelles. Siç thashë ky është njëri prej shembujve nga shumë të tjerë, kështu mund ta gjykoni vetë! Pasi ndodhi e gjithë kjo, nëna ime thotë se Dragos është djali i saj i dytë”, rrëfeu Angela.


