Koreografi Dritan Brama ishte i eliminuari i së martës nga shtëpia e “Big Brother VIP”. Ai ishte ndër të fundit që hyri në shtëpi së bashku me katër konkurrentë të tjerë. Ish-banori ishte i ftuar në një intervistë pas daljes së tij ku foli rreth eksperiencës së tij në shtëpi dhe mendimet e tij për banorët.

Duke folur për banorët ai veçoi moderatoren Einxhel Shkira, për të cilën tha se në fillim kishte pasur një mendim negativ, por u zhgënjye për mirë pasi e njohu brenda shtëpisë.
“Vërtet kam një mendim tjetër për Enxhin, për të mirë. Ishte ajo goca agresive që merrte gjithmonë fjalë, kundërvihej ndaj të tjerëve. Kjo gjë më bënte të mendoja që është negative. Por kur shkova më priti shumë mirë”, tha ai në “Ftesë në 5”.

I pyetur nga moderatorja nëse ka pasur një një romancë të fshehur aty brenda që askush nuk e ka kuptuar, ish-banori deklaroi se ka dyshimet e tij për moderatoren Egzona Rafuna, e cila ishte e afërt me aktorin Donald Veshaj.
“Dyshoj për Egzonën. Ajo erdhi nga jashtë sikur s’kishte ndodhur asgjë edhe iu qep Donaldit këmba këmbës. Iu qep domethënë i bënte përshtypje, rrinte gjithë kohës me Donaldin dhe thashë gjithë kjo shoqëri pas ikjes së Triksës… Ajo u shkëput shumë pas ikjes së Triksës, rrinte gjithë kohës me Donaldin”, shprehu ai.

Ndër të tjera ai tregoi se qëllimi i tij nuk ishte të fitonte Big Brother po të kishte një eksperiencë ndryshe. Ai shtoi se nuk kishte hyrë me një strategji siç kanë hyrë të tjerët.
“Unë mendoj se do futem pas strategji dhe të shkojë sa të shkojë. Egzona thoshte që unë pretendoj më shumë, por kur i shikon konkurrentët që janë më të fortë e kupton. Ata kanë 4 muaj aty brenda, larg familjes, larg njerëzve më të shtrenjtë”, përfundoi ai.


