Dy muaj pas përfundimit të “Eurovision”, pyetjet dhe polemikat rreth performancës dhe veshjes së Ronela Hajatit vijojnë. Nxitur kjo edhe nga fakti që Ronela nuk ka dalë në asnjë intervistë teksa stilisti i saj Niko Komani ka qenë i rezervuar.

Ai i cilëson si ‘daltonikë’, ata që mendojnë se veshja në tapetin Turquoise ishte e kopjuar duke u shprehur se Ronela nuk është kukull që vesh çfarë duan të tjerët, pasi e kishte fantazuar ajo veshjen.
“Nuk është e njëjta. Duhet të jesh daltonik që mos të dallosh ngjyrat. Nuk e kam problem ta diskutoj. Por, Ronela nuk është kukull që unë e marr dhe e vesh me atë që dua, me të brendshmet apo ngjyrat që dua. Ronela e kishte fantazuar veshjen dhe na udhëzoi. Veshja u bë siç e donte ajo. Është performancë e saj dhe vendos ajo.”- tha Niko i ftuar në “Wake Up”.
Lidhur me kritikat për veshjen e saj në gjysmëfinale, stilisti u shpreh se nuk ishte aspak e tepruar duke shtuar se këngëtaret e Spanjës dhe Qipros kishin veshje më provokuese se Ronela. Por, sipas tij publiku shqiptar ka standarde të dyfishta.
“Ronela përfaqësonte veten një herë pastaj të tjerët. Më habit që shohim femra të huaja mbase më të mbushura prapë me të njëjtën veshje dhe e pëlqejmë se shqiptarët fshihen pas gishtin. Të huajin e adhurojnë duke mos u bezdisur por te shqiptari bezdiset shumë. Përveçse kanë standarde të dyfishta, nuk i lënë artistët të evoluojnë se i mbushin me komplekse dhe nuk mund të shkojnë përtej gjësë normale. Ishim madje shumë të veshur nëse disa thanë se ishim të zhveshur. Kishte pafund artistë ‘lakuriq’ sipas tyre, shqiptarët duan të mbulojnë të tyret, por adhurojnë ata të huaj që zhvishen.” – u shpreh Niko.
Veshja më e zhurmshme e Ronelës ishte ajo e ceremonisë së hapjes së ‘Eurovision’ përgjatë tapetit Turquoise. Për këtë veshje një artist brazilian me emrin Pedro Leopoldom i akuzoi se ishte e kopjuar nga ai. Pas akuzave publike të tij Ronela publikoi foton e veshjes në Instastory, krahas së cilës shkruan që është ilustruar nga Pedro Leopoldom, teksa i ka bërë tag edhe këtij të fundit duke i dhënë kështu meritat.
Niko publikoi një status në Instastory ku shkruante se është në komunikim me artistin brazilian, por pa dhënë asnjë detaj. “Gjithçka ndodh për një arsye! Ekipi ynë është në komunikim me Pedro Leoplodom dhe gjitçka është nën kontroll! Faleminderit.”– thuhej në statusin e plotë të Niko Komanit, i cili më pas deklaroi se: “Do doja që të flisja edhe unë edhe ai. Por ne e kemi sqaruar. Ronela ka një tjetër projekt shumë të madh që vjen në qershor dhe ideatori që do të ilustrojë projektin do të jetë Pedro.”

Në gjysmëfinale Ronela veshi një “body” ngjyrë argjendi stiluar me gurë që i nxirrte në pah dekoltenë. Ajo kishte veshur edhe një pelerinë rozë voluminoze në pjesën e krahve. Në vendin tonë kjo veshje u shoqërua me kritika të shumta duke u cilësuar si e zhveshur më shumë seç duhet, teksa kritika pati edhe nga të huajit.
“Gjëja e parë që do të bëja, do të denoncoja stilistin. Pse është veshur ashtu?“-u shprehën komentatorët e ‘Rai Uno’ fill pas performancës së saj. Në nisje të spektaklit ata vlerësuan Ronelën, si këngëtarja luftarake që do të sjellë në skenë një këngë të stilit regaton modern, por pas performancës, ironia ka qenë pikërisht për veshjen. “Se di pse e ka veshur, ashtu i pëlqen me siguri”, mbyllën vlerësimin e tyre komentatorët italianë.
Po ashtu, as mediat nuk i kanë kursyer ironitë për look-un. Madje në një vlerësim me nota, ata i kanë dhënë 4 artistes sonë për zgjedhjen e bërë.
© Panoramaplus.al
