Tradhtia e bashkëshortit, Genci Pasko, nuk ka qenë e lehtë për aktoren Monika Lubonja, e cila vendosi t’i japë fund martesës së saj.

Ish-çifti ishin prindër të një vajze, Teas dhe ajo ishte vetëm 4 vjeçe kur ata u divorcuan.
Monika Lubonja rrëfeu se periudha pas divorcit me ish-politikanin e ndjerë ishte një ferr i vërtetë dhe pa ndihmën e prindërve të saj do ishte çmendur.

“Kam kaluar shumë, nuk di t’i ndaj vështirësitë e mia. Momenti pas divorcit, për mua ka qenë një ferr i vërtetë. As e mendoja kurrë që gjërat do të shkonin ashtu. Tea ka qenë 4 vjeçe e gjysmë, çdo gjë e kam bërë vetë, sigurisht pa ndihmën e prindërve të mi, do isha çmendur”, tha aktorja gjatë një bashkëbisedimi me gazetaren kosovare, Egzona Rafunën në Big Brother Vip.

Ndërkohë pas ndarjes nga ish-zv/ministri i Turizmit, ajo vendosi të mos martohej më dhe arsyeja ishte pikërisht vajza e tyre. Aktorja theksoi se dëshironte ta rriste Tean në mënyrën e saj dhe u fokusua vetëm tek e bija dhe puna.
“Nuk doja që Teas t’i sillja një njeri tjetër, doja ta rrisja në mënyrën time, nuk e di pse. Ndoshta nuk doli një njeri tjetër. Iu përkushtova shumë punës, Teas. Kam qenë e dashuruar me profesionin tim”, shtoi ajo.

Monika Lubonja ka folur edhe më parë brenda shtëpisë së BBV për jetën private. Teksa bisedonte me Kledi Hysën ajo është shprehur se nuk do ta refuzonte mundësi për të krijuar një marrëdhënie me dikë, duke theksuar ato që ka kaluar në jetë, e kanë ndihmuar të bëhet shumë më e kujdesshme me zgjedhjet e saj.

“Jam single, e qetë, ideja vetëm për punë. E kam bërë dikur një zgjedhje dhe s’kam për të bërë më zgjedhje. S’më ka ardhur një shans tjetër, se po të më kishte ardhur… Nuk ka ardhur ndonjë rast i mirë që unë ta finalizoj. Se duke pasur një herë një dramë në jetën tënde, je më e përgjegjshme për zgjedhjen e dytë. Edhe për veten time, sepse mamin do ta qetësoja shumë se babi iku me mendimin ‘ku do të të lë moj vajzë, iku me kokën mbrapa’. Mami vazhdon, se nëna kërkon ta sistemojë vajzën, megjithëse unë jam madhore tani, por ngelet nënë dhe unë ngelem vajza e saj. Por si duket nuk ka ardhur ai momenti. Doja të bëja tre fëmijë, kisha shumë dëshirë që Tean të mos e lija vetëm”, rrëfeu aktorja.

Ajo ka treguar se ngeli shtatzënë me Tean kur ishte duke ndjekur studimet dhe donte ta abortonte vajzën, por ishte ish-bashkëshorti ai që e ndaloi.
“Nuk ka rëndësi, një herë, por kam qenë e pjekur. Mendoj se nuk ka për të më ndodhur që të dashurohem sërish aq fort. Unë nuk them që nuk do të dashurohem sërish, por po them që nuk do ta dua aq fort. Prandaj thashë që për dikë që e do fort, edhe fal. Prandaj këmbëngula se e kisha eksperiencë. Prapë them që s’i dihet asnjëherë”, tregoi ajo.

Ish-bashkëshorti i ndjerë i Monika Lubonjës është Genci Pasko, i cili fatkeqësisht u nda nga jeta në moshën 57-vjeçare gati 9 muaj më parë, si pasojë e COVID-19. Genci, një aktivist i shoqërisë civile, ishte diplomuar për Ekonomi, në Universitetin e Tiranës, dhe kishte mbuluar detyra të rëndësishme edhe në politikë, ku ndër të tjera mbajti edhe postin si Zv/ Ministër i Turizmit, para disa vitesh.

Sipas miqve e kolegëve, Genci ishte njeriu ku natyra kishte ndërthurur tek ai seriozitetin e përkushtimin në punë, me shpirtin e lirë e shumë social ku mbizotëronin hobet e tij të panumërta si: muzika, kitara, sporti, tenisi dhe udhëtimet. Pikërisht për të gjitha këto detaje nga jeta e saj, aktorja është shprehur herë pas here se ai ka qenë dashuria e saj më e madhe, dhe që e ka falur edhe pse ai e kishte tradhtuar.

Me hyrjen e saj në BBVIP, edhe pse kishte vetëm pak muaj nga ndarja e tij nga jeta, Monika nuk hezitoi të rrëfente në ekran për tradhtinë e tij: “Unë prandaj thashë që për dikë që e do fort, edhe fal. Prandaj këmbëngul se e kisha eksperiencë personale…”.

Monika Lubonja, dikur brune, tashmë identifikohet vetëm si bionde. Ajo lindi më 13 prill 1968 në Tiranë dhe si aktore e Teatrit Kombëtar, në film ka interpretuar disa role, duke filluar nga viti 1992, mes të cilëve ka bërë përshtypje me rolin te “Përdhunuesit”.

Ndër filmat e tjerë ku Monika ka luajtur përmendim: “Në kërkim të kujt”, serial i vitit 2011, “Tingulli i heshtjes” serial i vitit 2010, “Tirana viti 0 (2001), “Dasma e Sakos” (1998), “Plumbi prej plasteline” (1995), “Pas fasadës” (1992) etj. Sa i përket lojës në “Big Brother”, Monika Lubonja i ka përdorur të gjithë gurët, duke arritur të bëhet protagoniste, edhe pse i takon një brezi tjetër duke qenë se është më e madhja e shtëpisë në moshë.





© Panoramaplus.al

