Këngëtarja Eni Koçi zbuloi pak ditë më parë se ndonëse ka humbur nëntë kilogramë, vazhdon të mbajë dietë dhe të ushqehet shëndetshëm. Artistja realizoi dje një intervistë virtuale me ndjekësit, ku pyetjet i bënin ata.

Fiziku i Koçit nuk ka kaluar pa u vënë re nga vajzat, të cilat duan të dinë sekretin e rënies në peshë të saj, prandaj një ndër pyetjet më të shpeshta ishte: “Çfarë diete po mban?”.
“Më është mbushur inbox me këtë pyetje. Realisht këto dy muaj i jam përkushtuar shumë ushqimit që konsumoj dhe po preferoj të gatuaj vetë çdo gjë. Po ha në sasi të vogël dhe pas orës 19:00 e kam ndaluar totalisht ushqimin.
Kam blerë dhe disa produkte që më kanë ndihmuar në proces, kam konsumuar shumë ujë dhe normalisht kam kombinuar dhe aktivitetin fizik (kardio)”, u përgjigj Eni.

Prej kohësh artistja nuk ka realizuar një këngë, por ajo ka sqaruar se nuk është shkëputur nga muzika. Koçi zbuloi se aktualisht po punon me tre këngë të reja dhe në muajin nëntor pritet të publikohet e para.

Prej shumë vitesh, këngëtarja nuk e ka ndryshuar ngjyrën e flokëve, duke i qëndruar besnike biondes. E pyetur nëse mendon ndonjëherë të bëhet brune, Eni tha: “Përgjithmonë bionde. Nuk e imagjinoj dot veten brune. E kam provuar me paruke një herë dhe nuk mendoj që më rrinin mirë”.


