Salsano Rrapi, moderatori dhe humoristi i njohur, mori të gjithë veëmendjen e medias këtë javë, teksa partnerja e tij i organizoi një festë surprizë me rastin e ditëlindjes, shoqëruar me një dhuratë të veçantë, atë të një ceremonie martese.
Erjona Kakeli ishte veshur me të bardha dhe i dhuroi partnerit të saj një unazë. Në media u tha se Salsano dhe Erjona tashmë u martuan zyrtarisht, pasi kishin shumë vite që bashkëjetonin, edhe pse kanë sjellë në jetë dy vajza.
Por, në fakt, po të shohësh ceremoninë në detaje, ajo ishte një martesë simbolike, pasi martesë zyrtare ku përfshihet edhe celebrimi, nuk kishte.
Po cila është historia shumëvjeçare e lidhjes së dy aktorëve të njohur dhe pse pas kaq vitesh që janë bashkë nuk janë martuar akoma zyrtarisht?
Në intervista të ndryshme, Erjona ka qenë pak më e hapur për të folur për jetën private të çiftit, ndërkohë që Salsano është përpjekur që të mos japë shumë informacione, duke treguar se nuk i pëlqen të flasë për privatësinë e tij, veçse për punën.
Në një nga intervistat e dhëna pak muaj më parë, Erjona Kakeli tregoi një episod, të cilin e rrëfente për herë të parë.
“Salsano ma ka bërë propozimin tamam, kur ka qenë Margi e vogël, në vendin tonë të preferuar, në Dhërmi. Më thotë hajde ikim. I thashë po vajzën si do ta lëmë se ishte 6 muajshe. ‘E mban mami’, ma kthen. Si përfundim, shkuam, hëngrëm atje, në një moment zbresim poshtë, kisha edhe gocën me karrocë dhe shohim vendin që ishte realizuar për një propozim. I them: ‘Po gjynah si i kanë lënë këtu këto mbeturina’. Ndërkohë, Salsano më thotë: ‘Mos më prish surprizën’. Unë s’po kuptoja asgjë. Ai ulet dhe më propozon”, rrëfeu Erjona.
Duke pasur parasysh që vajza e madhe është sot rreth 5 vjeçe, me siguri kjo ngjarje mund të ketë ndodhur rreth 4 vite më parë dhe gati 10 vite pasi ishin lidhur me njëri-tjetrin. Salsano dhe Erjona kanë 16 vite të lidhur dhe rreth 13 vite që bashkëjetojnë.
Një histori kaq e gjatë dashurie, ku fryti i saj janë dy vajza, pa dyshim që është një marrëdhënie tashmë e konsoliduar. Me sa duket, edhe lindja e dy vajzave ka qenë një ëndërr e përmbushur e Salsanos, i cili sapo lindën vajzën e dytë, dha këtë prononcim në një intervistë: “Edhe kur mendoja të bëja një fëmijë tjetër, vajzë e doja. Nuk më ka pëlqyer asnjëherë të flas për jetën time në publik, jo se kam frikë apo turp, por është një gjë që më përket mua. Në përgjithësi nuk jap intervista, nuk i kam qejf, sepse nuk më pëlqen që njerëzit të dinë shumë për mua. Shumë njerëz më dinin beqar. Unë kam shumë vite me Erjonën, por nuk jemi martuar me certifikata me rregulla”.
I pyetur për arsyet pse nuk janë martuar deri tani, Salsano u përgjigj duke përdorur si mjet ilustrues, atë që di të bëjë më mirë, humorin: “Të tregoj një barsoletë. Një person kishte vrarë gruan dhe e pyesin. Ti ke 35 vjet martuar me të, pse e vrave tani? Po më çmendi, pse mos ta vrisja. Po ti ke 35 vjet, pse u kujtove sot? Po ja mukajeti, hë sot, hë nesër dhe e vrava tani. Kështu edhe puna jonë, hë sot, hë nesër, mukajeti më ka lënë pa martuar me letra, por kjo nuk është e rëndësishme”, tregonte Salsano.
Ndërkohë, Salsano ka shpjeguar edhe kuptimin e emrave të vajzave të tyre: “Emrin Amal e kam huazuar, është emër arabik që do të thotë shpresë dhe inspirim. Gjithashtu, më pëlqen dhe gruaja e George Clooney, e cila e ka emrin Amal”, shpjegon ai.
Me ceremoninë e fundit, e cila kishte si pikë kulminante momentin e vënies në gisht të unazës Salsanos nga Erjona, le të themi që kjo e fundit i ktheu borxhin ose e plotësoi ritin, pasi Salasano i kishte vënë unazën asaj në gisht rreth katër vite më parë, po në Dhërmi. Pa dyshim që kemi të bëjmë me një çift të hareshëm, të cilët gjejnë mënyra të ndryshme për të celebruar dashurinë e tyre dhe për t’u argëtuar me festa.
Ata kanë profesione të bukura, janë të dy aktorë. Ata u njohën në teatrin “Skampa” vite më parë, pasi luanin në komedinë tragjike “Kolonel Zogu”, ku Erjona ishte e vetmja femër. Gjithashtu, që të dy janë të profilizuar si aktorë humori.
Duhet të kujtojmë se Salsano hyri shumë rastësisht në botën e spektaklit të humorit. Siç thotë edhe ai vetë, pati fatin që bëri humor në vendin e duhur, pasi në vitin 2005 ai ishte thjesht publik në spektaklin “Ethet e së premtes mbrëma” dhe kur Adi Krasta, moderator i spektaklit, i dha mikrofonin, ai bëri imitimin e gagaçit që u pëlqye shumë nga publiku.
Ndërsa tani është një nga aktorët më të mirë të humorit shqiptar dhe moderator i spektaklit aq popullor “Portokalli”. Edhe Erjona kohët e fundit është bërë pjesë e spektaklit të humorit, “Kosherja”, konkurrentja e programit që moderon partneri i saj, Salsano. Salsano ka dhënë gjithmonë vlerësime maksimale për Erjonën, jo vetëm si partnere dhe nënë, por edhe si aktore: “Erjona është goxha kritike me mua, sepse është e drejtpërdrejtë dhe duke qenë aktore, ajo e kupton mirë. Të qenit në të njëjtin profesion, më ka ndihmuar shumë, sepse është një nga personat më të mirë në jetën time. Pa lindur fëmijët nuk mendoja që Erjona do ishte një nënë kaq e mirë, ajo e menaxhon shumë mirë situatën. Përveçse është një nënë shumë e mirë dhe lodhet shumë, ajo nuk dorëzohet, sepse është edhe në skenë. Edhe kur ka qenë shtatzënë, ajo ka luajtur në skenë”.
Duket se në jetën e tyre gjithçka shkon mirë, por edhe pas kësaj ceremonie të bukur në Dhërmi, përsëri mungon diçka, që është celebrimi ose martesa zyrtare. Natyrisht, nuk është diçka e padëgjuar fakti që një çift lidhet, bashkëjeton, bën edhe fëmijë, por nuk martohet zyrtarisht.
Madje, edhe në botën shqiptare të njerëzve të njohur, nga biznesi, gazetaria apo arti, njohim shumë të tillë. Salsano tregonte se ishte diçka si e lënë pas dore, por jo se kishte ndonjë bindje të veçantë se nuk do të martohet. Ka shumë teori, sipas të cilave martesat me vulë sikur e prishin adrenalinën apo romantizmin në çift.
Një dashuri e vërtetë nuk ka nevojë për letra të firmosura. Vetë Erjona ka folur në superlativa për lidhjen me Salsanon. Në një intervistë, e pyetur se si do ta komentonte historinë e dashurisë me Salsanon, ajo iu përgjigj se i ngjason një telenovele të vërtetë dhe që do të vazhdojë të jetë e tillë.
Ndërsa vetë Salsano ka pohuar në një intervistë për “Panoramën” pak kohë më parë, se nuk kanë ndonjë plan të organizojnë ceremoni martese në jetë, por në skenë i ka ndodhur ta provojë një herë atë ndjesi në një shfaqje teatrale. Ja pra që për ceremoninë mendoi gjysma e tij më e mirë, ku siç u duk edhe nga videot e postuara, më të lumturat ishin vajzat e tyre, ndërkohë që me sa duket duhet të presim për celebrimin.












