Nga kuzhina e shtëpisë së nënës së tij në një kompleks banimi në Londër, Jamal Edwards ndihmoi në nisjen e karrierës së yjeve si Rita Ora, Ed Sheeran dhe Stormzy. Pionieri i YouTube, i cili u nda nga jeta papritur në moshën 31-vjeçare në fundjavë, u vlerësua nga politikanët dhe përfaqësuesit e Oborrit Mbretëror për mënyrën se si ai ndërtoi një biznes shumë milionësh vetëm me guxim dhe vendosmëri.

Jamal kaloi nga krijimi i videove me një celular prej 20 £ në drejtimin e kanalit të tij dixhital, shtëpisë së tij diskografike m një brandi të vetin, si dhe krijimit të videove muzikore.
Ai mbajti pishtarin olimpik përpara Lojërave të Londrës 2012, shkroi një seri librash të shkurtër për motivues dhe ishte ambasador i “Princit Trust”, një organizatë bamirësie. Pasi filloi transmetimin në kanalin e tij SBTV vetëm një vit pasi YouTube u krijua, Jamal ishte një nga njerëzit e parë që dëshmoi se mund të pasuroheni duke ofruar përmbajtje në internet.


I lindur në Luton në vitin 1990, Jamal nuk e njohu kurrë babanë e tij dhe u rrit nga nëna, e cila ka qenë gjysmëfinaliste në The X-Factor në 2005 dhe një paneliste e “Loose Women”. Kur ishte 20-vjeç ajo mbeti shtatzënë me Jamalin dhe iu desh ta rriste e vetme deri në moshën 5-vjeçare kur gjeti dashurinë e jetës.
Nëna dhe njerku i tij u transferuan në Acton në Londrën Perëndimore, ku ai u përball me telashe. Kur ishte 14 vjeç, Jamal u arrestua nga policia pasi goditi një nxënës në fytyrë me një karrige në shkollë por më pas u la i lirë sepse e kishte bërë këtë gjë për vetmbrojtje pasi ishte sulmuar me deodorant në fytyrë.

Në këtë moment ai filloi interesimin për të krijuar video të ndryshme. Ai përdori celularin e tij që kushtonte 20 paund për të regjistruar fillimisht kafshë të egra lokale si dhelprat, bretkosat dhe milingonat, dhe më pas reperët vendas. Në moshën 16-vjeçare mamaja e tij i bleu një kamerë të thjeshtë dore “Panasonic” për Krishtlindje. Ai hapi shpejt kanalin e tij në YouTube dhe mblodhi mijëra shikime nga intervistat që bënte. Jamal tregoi kohë më parë në një intervistë: “Në atë kohë, njerëzit u emocionuan shumë kur e shihnin veten në internet. Shiko, unë jam në internet.” Pasi mori çekun e tij të parë nga YouTube për 100 £, ai nisi të intervistonte njerëz më të rëndësishëm.


Jamal ishte personi i parë që intervistoi Rita Orën dhe gjithashtu intervistoi edhe Sheeran, Skepta, Jessie J dhe Dave. Justin Bieber, David Cameron, Simon Cowell, Ellie Goulding, Bruno Mars dhe Nicki Minaj janë shfaqur gjithashtu në SBTV.
Në moshën 22-vjeçare ai kishte një pasuri prej 8 milionë funtesh dhe u bë ambasador i markës Puma, duke krijuar një shtëpi diskografike të quajtur “Just Jam” me mbështetjen e Sony.
Jamal u bë një frymëzim për të rinjtë dhe kjo u njoh edhe nga Familja Mbretërore. Ai ishte ambasador i “Prince’s Trust”, shoqata bamirëse e drejtuar nga Princi i Uellsit, dhe ndihmoi në nisjen e “Programit të Liderëve të Rinj të Mbretëreshës” me Princin William dhe Princin Harry.
Jamal iu dha një MBE në 2015.
© Panoramaplus.al
