Britney Spears dëshiron që fansat të dinë se situata e familjes së saj është ende toksike, edhe pasi fitoi gjyqin ndaj babait të saj javën e kaluar.

Sipas “Page Six”, ylli i muzikës pop ndau dje në Instagram një mesazh që u drejtohej të afërmve dhe miqve që ishin bashkëpunëtorë në vendosjen e kujdestarisë së babait të saj, Jamie Spears, 13 vjet më parë.
“Kjo fotografi është gjithçka për mua! Më bën të qaj… ajo po shpëton motrën e saj hyjnore!”- ishin fjalët që Britney zgjodhi për imazhin.

“Unë sugjeroj që nëse keni një mik që ka qenë i mbyllur në një shtëpi të vogël për muaj të tërë… pa makinë … pa telefon … pa derë për privatësi dhe i duhet të punojnë rreth 10 orë në ditë, 7 ditë në javë, pa asnjë ditë pushimi… Mendoj që duhet të shkoni ta merrni mikun tuaj dhe ta nxirrni prej andej!”- shkroi ajo.
Britney gjithashtu vuri në shënjestër familjen e saj, e cila për vite me radhë nuk bëri asgjë për të ndryshuar situatën.

“Nëse jeni si familja ime që thotë gjëra të tilla si ‘më fal, je nën kujdestari’… atëherë po mundohen t’jua punojnë”,- shtoi ajo.
Këngëtarja e përfundoi postimin duke shprehur vlerësimin për avokatin e saj Mathew S. Rosengart, i cili, sipas saj e ka ndihmuar të ndryshojë jetën.
Gjatë gjyqit, Britney tha se familja e saj “nuk bëri as gjënë më të vogël“, dhe i tha gjykatëses se dëshiron që t’i padisë ata. Për më tepër, Britney tha se do të donte që babai i saj të akuzohej për abuzim me kujdestarinë.

Nëna e Britney-t, Lynne Spears, ka mbrojtur lirinë e vajzës së saj në gjykatë, por jo para lëvizjes #FreeBritney, të nisur në vitin 2019.
Ndërkohë, vëllai i madh i Britney-t, Bryan Spears, e quajti kujdestarinë një “gjë të madhe” për familjen e tij në një intervistë në korrik të 2020-ës. 44-vjeçari nuk preferoi ta komentonte pezullimin e kujdestarisë së Jamie-t, kur u pyet nga paparacët javën e kaluar.
Motra e saj e vogël, Jamie Lynn Spears, këmbënguli që e mbështeste Britney-n në një seri videosh të publikuara në Instastory, në fund të qershorit.
© Panoramaplus.al
