Ish-kryetarja e Kuvendit shqiptar, Jozefina Topalli, është nderuar sot me çmimin e “Karrierës” nga Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.

Gjatë marrjes së çmimit, Topalli shoqërohej nga familja e saj, bashkëshorti dhe dy fëmijët. Vajza e ish-kryetares, Megi Topalli, e cila ka pak kohë që është bërë nënë për herë të parë, kishte vendosur që foshnjën ta merrte me vete.

Ndërkohë në fjalën e saj, Topalli tregoi momentin kur kishte marrë mesazhin për çmimin, duke prekur edhe të shkuarën e saj.
“Para pak ditësh, më erdhi një mesazh në celular nga një pedagoge e universitetit tonë e cila më vuri në dijeni se do nderohesha me një çmim nga universiteti Luigj Gurakuqi. E lexova por ndërkohë po mbaja në krahë, fëmijën e sapolindur të vajzës, thashë do i përgjigjem sapo të jem e lirë. Në fakt u çudita, zakonisht, kur bie nga pushteti, nuk të japin çmime, e gjeta veten me buzë me gaz. Jam shumë mirënjohëse për këtë çmim dhe të gjithë ju që jeni në këtë ceremoni shumë prekëse për mua”, tha ndër të tjera ish-deputetja e Partisë Demokratike.







