Këngëtarja ndonëse pak kohë më parë festoi 53-vjetorin e lindjes, ajo ka spikatur gjithmonë për fizikun e saj të rregullt, mirëpo të gëzosh linja të tilla edhe në këtë moshë është një bravo e madhe për artisten. Së fundmi, Manjola është fotografuar në rrugët e “Bllokut”, duke biseduar me një mikeshë të sajën.

Dhe padyshim ajo çka ra në sy ishte stili rinor i këngëtares. Me një grim të lehtë në fytyrë, veshur me një fustan “xhins” të errët, i cili ishte i gjatë deri poshtë gjunjëve, të kombinuar me një këmishë portokalli me lule dhe sandale me pak takë ngjyrë rozë, mund të themi se Manjola “sfidon” hapur vajzat e reja. Këngëtarja shpesh herë poston foto ku shfaqet e veshur me bikini ku nxjerr në pah format e saj perfekte trupore, mirëpo duket se kjo gjë nuk është pëlqyer nga një pjesë e ndjekësve të saj në rrjetet sociale.

Disa kohë më parë, Manjola vendosi t’u kundërpërgjigjej “ziliqare” nëpërmjet një postimi në “Instagram”. Këngëtarja u shpreh se dëshiron që gjithmonë të sjellë versionin më të mirë të vetes së saj dhe dëshiron që dhe njerëzit që e rrethojnë t’i shikojë me admirim. Më tej, Nallbani shtoi se dëshiron të jetë një inspirim vetëm për vajzat e saj dhe theksoi se në rrjetet sociale ajo ka zgjedhur të tregojë pozitivitetin.

“Unë kam një qëllim në jetën time! Duke i qenë mirënjohëse Zotit që ekzistoj, të punoj për të bërë deri sa të kem jetë versionin më të mirë të vetes, së pari në përmbajtje e pastaj në formë! Jam e lumtur që kam dy sy që nuk më dhembin kurrë nëse shoh njerëz të tjerë të realizuar e të bukur. Përkundrazi, kam admirim! Kam një mendje që deri më sot, kurrë s’e kam përdorur për të dëmtuar askënd (pavarësisht inatit e mërzisë), por vetëm për të bërë diçka të mirë më shumë për veten, familjen, po dhe për këdo që ka pasur nevojë për ndihmën time. Kam bindjen dhe nga çfarë lexoj, që ne jemi grimca energjie! Atë që jep, do marrësh. Nëse do shohësh poshtë (në sensin e energjisë së keqe) do të të merren mendtë e të këputet qafa. Frymëzohem nga ata njerëz që kanë arsye të më frymëzojnë dhe dua që unë të jem inspirim, vetëm për dy qeniet më të shenjta në jetën time, me atë çfarë ato kanë parë e jetuar prej meje çdo ditë të jetës! Të gjithë kemi sëmundje, shqetësime, lodhje, zhgënjime, po në rrjetet sociale unë kam zgjedhur vetëm të qesh”, shkroi asokohe këngëtarja.


