30 Korrik, 2022

Fotot nga paparazzi/ Presidenti dhe Zonja e Parë “pa protokoll” në festë, çifti nuk i kursen përqafimet


Mbrëmja e ditës së enjte ka qenë një festë për Tiranën, ku u festua 100-vjetori i vendosjeve të marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në si dhe çelja e negociatave, në një koncert madhështor, i cili u mbajt në sheshin “Skënderbej”.

Veç publikut që ishte i shumtë në numër, nuk munguan as figurat kryesore të shtetit. Duhet thënë se kjo festë i ka gjetur totalisht të relaksuar nga pamja zyrtare, duke na treguar anën tjetër të tyre. Por nuk kishte sesi mos të tërhiqte vëmendjen Presidenti i sapozgjedhur, ku u shfaq në festë bashkë me familjen e tij.

Bajram Begaj ishte në radhën e parë të koncertit, ku shoqërohej nga bashkëshortja dhe një prej djemve të tij. Ashtu si shihet edhe në fotot e siguruara nga paparaci ynë, Presidenti ka zgjedhur të ruajë figurën e tij prej zyrtarit të lartë. Ai u shfaq në festë i veshur me xhaketë, ndërkohë që Zonja e Parë, Armanda, kishte zgjedhur një kombinim klasik me pantallona të zeza dhe këmishë të bardhë.

Çifti presidencial u shfaq shumë i relaksuar në festë, ku nuk i shmangën edhe prekjet dhe përqafimet mes tyre. Pas gati 1 jave që nga marrja e detyrës, kjo është dalja e tij e parë së bashku me familjen, dhe duhet thënë se pamjet janë tërësisht ndryshe nga profili serioz i Presidentit. Veç profilit të lartë që Begaj ruan, i kushtëzuar edhe për shkak të detyrës së tij, ne kemi mundur të kapim një moment, disi më miqësor.

Takimi i Presidentit me Taulant Ballën, ka qenë më shumë një përshëndetje shoqërore, sesa zyrtare. Të qetë, nën tingujt e muzikës së artistëve, Presidenti dhe Balla kanë shkëmbyer duart si dy miq të vjetër. Megjithatë, vetëm pak sekonda kanë mjaftuar për Begaj të shfaqej jashtë kornizës së detyrës së tij, pasi në gjithë pjesën tjetër të mbrëmjes, ka vijuar të jetë serioz, duke mos u “joshur” nga tingujt e muzikës.

Zonja e Parë u shfaq disi më e relaksuar, teksa nuk i ka kursyer bisedat me personazhet e tjera të politikës, por edhe me ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim. Një takim mjaft miqësor me ambasadoren ka pasur edhe djali i Presidentit. Ai dhe Yuri Kim janë takuar shumë përzemërsisht, duke shpenzuar së bashku edhe disa minuta në bisedë.

Kujtojmë se Presidenti i sapozgjedhur është babai i dy djemve, dhe të dy janë student të Mjekësisë. Mesa duket, familja Presidenciale do të jetë mjaft aktive në jetën sociale të Tiranës dhe poza të tilla, jashtë protokollit do të ndeshim shpesh prej tyre

© Panoramaplus.al