Ish-ministrat Nasip Naço dhe Edmond Haxhinasto tashmë janë zyrtarisht krushqi. Djali i deputetit të PS-së, Nasip Naços, Franko, i ka dhënë fund beqarisë duke e kurorëzuar me martesë dashurinë për vajzën e Edmond Haxhinastos, Elizën.

Dyshja kanë organizuar një ceremoni të bukur buzë detit, ku kanë ftuar miq e të afërm për t’iu bashkuar gëzimit të tyre. Në foto shihet Eliza teksa shoqërohet nga i ati drejt altarit.
Ajo ka zgjedhur një fustan të bardhë të stilit “sirenë” me dantellë, që është i ngushtë pas trupit deri në pjesën e gjurit e më pas i fryrë në pjesën e poshtme. Ai është i hapur tek kurrizi, që e bën edhe më sensuale pamjen e nuses.

Eliza zgjodhi një vello të bardhë të shkurtër, të cilën e kishte vendosur mbi flokët biondë, që i kishte lënë të lëshuar. Ajo kishte zgjedhur onde të lehta për këtë ditë të veçantë dhe mbante një buqetë me lule rozë dhe të bardha në dorë. Gjithashtu, make up-i që kishte bërë ishte në nuanca të tokës dhe jo i rënduar.

Franko dhe Eliza kanë rreth gjashtë vite të fejuar. Në 2016-ën, lajmin e ndau me të gjithë ndjekësit e saj në Instagram Eliza. Ajo publikoi një foto të dorës së saj dhe të Frankos, në të cilat dukeshin unazat e fejesës. Dyshja kishin qenë bashkë prej dy vitesh para se të shpallnin fejesën. Ndërsa tani janë zyrtarisht “burrë dhe grua”.

Tashmë baballarët e tyre janë krushqi, ndonëse në politikë janë kundërshtarë. Kjo sepse Nasip Naço u largua nga LSI për t’iu bashkuar Partisë Socialiste, ku u zgjodh deputet në qarkun e Beratit.



