Një orë e Adolf Hitler ka qëndruar e fshehur për 80 vjet.

Ajo ndodhej në duart e një familje të një ushtari francez që e kishte vjedhur gjatë kontrollit të Berghof, rezidencës së fortifikuar të diktatorit nazist në Bavari.
Mirëpo, tashmë që është gjetur, ajo do të shitet në një ankand në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një shifër marramendëse sigurisht. Ankandi do të mbahet në Mariland të Shteteve të Bashkuara, dhe pritet që nga shitja të arkëtohen rreth 4 milionë dollarë. Megjithatë kjo shifër nuk mendohet të jetë e lartë për shkak se pak kohë më parë ora e dorës e yllit të Hollivudit Paul Newman u shit për gati 18 milionë dollarë.
Bëhet fjalë për një orë që partia naziste i dhuroi Fuhrer-it të saj për të celebruar fitoren zgjedhore të vitit 1933. E prodhuar nga një firmë prestigjioze zvicerane si “Le Coultre”, dhe e modifikuar me personalizime nga Andreas Huber, prodhuesi zyrtar i orëve të Bavarisë.

Ora që ka një mekanizëm interesant rrotullues të fushës, për ta mbrojtur atë ne raste të veçanta, mban inicialet e diktatorit si dhe tri data të rëndësishme për të, ditëlindjen, ditën kur u shpall kancelar dhe pikërisht fitorja e partisë në zgjedhje.

Organizatorët e ankandit saktësojnë se ata nuk duan të celebrojnë liderin nazist, por thjesht të sjellin në pah një objekt unik të një historie të errët të njerëzimit.
© Panoramaplus.al
