27 Qershor, 2021

Fjoralba Ponarin e gjen 27-vjetorin të lumtur në dashuri, por të shqetësuar në punë! Lëvizjet që bëri për të mos humbur pozicionin e moderatores në “Portokalli”


Fjoralba Ponari u zgjodh si prezantuese e spektaklit “Portokalli” sezonin e kaluar, sezon gjatë të cilit u angazhua edhe si aktore me disa role të vogla. Ajo mori mbështetje fillimisht jo vetëm nga kolegë, por edhe nga publiku për spektaklin e ri që do të drejtonte.

Mirëpo, duket se jo të gjithë janë të kënaqur me performancën e saj për një sezon, duke e konsideruar një test dhe një ndër ta ishte aktori protagonist i show-t, Rezart Veleshnja. Ai publikoi në “Instastory” një foto të Eneda Tarifës, e cila ka qenë një ndër prezantueset e këtij spektakli.

“Nuk do vijnë më moderatore si Xhemi Shehu dhe Eneda Tarifa. Iku koha e vlerave, është koha e antivlerave dhe e… Kishin sy në skenë dhe ishin plot sharm”, shkroi Rezarti. Pas fotos së Enedës, aktori publikoi edhe një tjetër të Xhemi Shehut, e cila po ashtu ka qenë moderatore në “Portokalli”. Por nuk ka vonuar reagimi i Fjoralbës, e cila ka ndikuar të marrë ok-in e drejtuesve të televizionit dhe show-t që tani për sezonin e ardhshëm.

Pyetjeve të shumta nëse ajo me mbylljen e sezonin e humbi punën në “Portokalli”, Fjoralba iu përgjigj direkt në rrjetet sociale, ku është dhe shumë aktive. Fjoralba ua hoqi kureshtjen ndjekësve dhe tregoi nëse eksperienca e saj në ‘Portokalli’ ishte vetëm për një sezon apo jo.

Ndryshimet e shpeshta sa në njërin format në tjetrin dhe pakënaqësitë e profesionistë në aktrim të shprehura hapur, i ka bërë të gjithë të mendojnë se Fjoralba nuk do të jetë sezonin e ardhshëm në drejtimin e spektaklit të humorit, “Portokalli”. Me foto të ndryshme Ponari ka treguar se aktualisht po xhiron dhe “Më thuaj një dëshirë”, duke lënë vend për një sërë interpretimesh nga ndjekësit.

Megjithatë, vetë ajo ka konfirmuar për një prej ndjekësve se muaji tetor do ta sjellë sërish para ekranit si moderatore e “Portokalli”. “A do të jesh prezantuese te Portokallia?”, ka qenë pyetja që Fjoralba i është përgjigjur me: “Po, po, po”.

Në një tjetër ‘Instastory’ moderatorja ka treguar dhe shifrën e ndjekësve në ‘Instastory’ prej 70.000 persona, duke hedhur poshtë gojët e liga që nuk ia sheh njeri postimet. Fjoralba para dy ditësh festoi ditëlindjen e 27- të,dhe dhurata e parë që mori nga partneri, Françesko, deshmoi se në dashuri ujërat i ka më të qeta se në profesion.

Ai i dhuroi një libër, ku shkruhet gjithë historia e tyre të dashurisë dhe momentet më të bukura që kanë kaluar së bashku. E emocionuar, Fjoralba e ndau menjëherë dhuratën me ndjekësit e saj në “Instagram” dhe dukej shumë e lumtur.

“Dhurata e parë! Dhuratat sentimentale janë më të mirat”, shkruante Fjoralba në postim. Fjoralba Ponarit së fundmi iu besua një nga formatet më të pëlqyera nga publiku, spektakli i humorit “Portokalli”, që i erdhi në momentin e duhur, si një terapi shërimi për depresionin që tha se ka kaluar.

Teksa jemi mësuar që Fjoralbën ta shohim gjithmonë të qeshur, kurrë nuk do të na kishte shkuar në mendje që prezantuesja të kishte vuajtur nga depresioni apo ankthi. Ajo rrëfeu për herë të parë për problemet e saj me shëndetin mendor në një bashkëbisedim me ndjekësit në “Instagram”. Dikush prej tyre e ka pyetur Fjoralbën nëse ajo ka vuajtur ndonjëherë nga ankthi, depresioni apo probleme të shëndetit mendor.

Me sinqeritet, moderatorja e ka pranuar duke shtuar që i ka përjetuar në periudha të ndryshme të jetës, duke theksuar se është e rëndësishme të kesh mbështetjen e njerëzve më të rëndësishëm.

“Po, nga të gjitha, edhe pse në periudha të ndryshme të jetës! Është me shumë rëndësi të kesh mbështetjen si bashkudhëtare të njerëzve të tu më të rëndësishëm në luftën me secilën prej atyre që ke përmendur. Nëse nuk ke besim te njerëzit që ke afër, kërko ndihmë të nje profesionist, më beso është shumë e rëndësishme të ndash atë që po kalon me dikë tjetër, çfarëdo qoftë ajo që po ndjen!”, shkruan ajo.

Ndërkohë, në lidhje me jetën private, ajo e ka lëshuar dorën me postimet krah partnerit të saj dhe publiku është entuziazmuar shumë, jo pa arsye. Së fundmi, me një postim nga ‘Tik Tok’, moderatorja na tregoi rrengun e fundit që i ka bërë të dashurit. Teksa regjistron veten me të në makinë, zëri i videos shprehet: “Është ok që një marrëdhënie të përfundojë”.

Me kaq mori reagimin që deshi, sepse Françesko tregoi me mimikë se nuk i erdhi mirë për fjalinë e dëgjuar. Sigurisht, gjithçka u mbyll me të qeshura, sepse në fund të videos theksohet që ky nuk është rasti i fundit të një marrëdhënieje, por një mënyrë testimi nga Fjoralba. Për pozicionin e moderatores në “Portokalli” u tha se kishte pasur një sherr mes saj dhe Nevina Shtyllës.

Kujtojmë që një episod i ngjashëm i betejës së dy vajzave për më shumë terren televiziv ka ndodhur para tri vjetësh, kur Nevina i zuri vendin Fjoralbës në “Procesi Sportiv”. Sezoni televiziv para tri vitesh, emisionin “Procesi Sportiv”, e gjeti me ndryshime, pasi përkrah Edi Manushit nuk u pa më Fjoralba Ponari, por Nevina Shtylla.

Kjo e fundit u largua nga emisioni “Jo vetëm modë” në “Tv Klan”, për të kaluar në “Top Channel”. Pasi Nevina i zuri vendin, Fjoralba u pa në drejtimin e një emisioni që kishte lidhje me fëmijët dhe muzikën. Ndërkohë, shfaqja e Fjoralbës në “Portokalli” ishte befasi për publikun, pasi tre muaj më parë si ajo dhe Nevina Shtylla u zhdukën në mënyrë të mistershme nga ekrani.

Me përfundimin e rubrikës “Beauty” në “E Diell”, Fjoralba Ponari vendosi të shkëputej nga ekrani. Gjatë një bisede me ndjekësit në “Instagram”, moderatorja tregoi se kishte vendosur të bënte një pauzë nga emisioni, por pa dhënë shumë shpjegime. Por ndërkohë e vërteta qëndroi ndryshe, pasi ajo jo vetëm u rikthye, por në skenën e show-t të rëndësishëm e më të ndjekur të dielave.

/Panoramaplus.al

 

© Panoramaplus.al