
Në një video të bërë virale ditët e fundit në Internet, kryeministrja e Finlandës Sanna Marin shihet duke kërcyer dhe kënduar me miqtë në një festë private. Liderja 36-vjeçare pozon para kamerës. Ajo ulet në gjunjë, vendos duart pas kokës, kërcen,këndon. Ajo po kalon një kohë të mirë duke festuar me miqtë e saj.
Video të panumërta të ngjashme shpërndahen çdo ditë në mediat sociale nga të rinj dhe jo shumë të rinj që festojnë në Finlandë dhe në të gjithë botën. Por rrjedhja e kësaj videoja ka shkaktuar një debat mes finlandezëve(por jo vetëm) rreth asaj se çfarë niveli argëtimi është i papërshtatshëm për një kryeministër/kryeministre, veçanërisht duke marrë parasysh sulmin e Rusisë fqinje ndaj Ukrainës, i cili bëri që Finlanda dhe Suedia prej kohësh neutrale të aplikonin për anëtarësim në NATO.
Marin, e cila drejton Partinë Social Demokratike të qendrës së majtë, është përballur me një breshëri pyetjesh: A kishte konsumuar drogë? Alkooli? Ishte duke punuar apo me pushime verore? A ishte kryeministrja mjaft e matur për të trajtuar një emergjencë nëse do të kishte ndodhur? Videoja, e xhiruar qartë nga dikush në festë, u publikua në rrjetet sociale dhe tërhoqi vëmendjen e mediave finlandeze këtë javë. Marin tha se ajo mori pjesë në festë javët e fundit, por nuk pranoi të thoshte saktësisht se ku dhe kur.
Ajo gjithashtu pranoi se ajo dhe miqtë e saj festuan në një “mënyrë të zhurmshme” dhe kishte pirë alkool- por, nuk kishte konsumuar drogë. Ajo tha të premten se bëri një test droge për t’i dhënë fund spekulimeve rreth substancave të paligjshme.
“Shpresoj që, në vitin 2022, të pranohet që edhe vendimmarrësit të kërcejnë, të këndojnë dhe të shkojnë në festa,” u tha Marin gazetarëve. “Nuk doja që të shpërndahej asnjë imazh të gabuar, por është në dorën e votuesve të vendosin se çfarë mendojnë për të.” Kryeministrja, e martuar dhe me një vajzë katërvjeçare, shpesh ka insistuar që edhe ndonëse ajo është kryetare e qeverisë së Finlandës, ajo është njësoj si çdokush tjetër i moshës së saj që pëlqen të kalojë mirë me miqtë dhe familjen në kohën e lirë.

“Jo diçka e mirë”
Në Helsinki opinionet janë të ndarë. Josua Fagerholm, i cili punon në marketing, tha se episodi ishte potencialisht i dëmshëm për reputacionin e Finlandës dhe për besimin e publikut tek politikanët finlandezë. “Mendoj se është e rëndësishme që politikanët tanë të jenë të respektueshëm dhe të gëzojnë besimin e publikut. Pra, nuk mendoj se është një pamje e mirë,” tha ai.
Mintuu Kylliainen, një studente në Helsinki, nuk u pajtua me të. Ajo tha se të gjithë kishin të drejtë për mendimin e tyre, por u shpreh se videoja po merrte shumë vëmendje. “Është normale të festosh,” tha Kylliainen. “Ajo duhet të argëtohet gjithashtu në jetën e saj.” Disa mbështetës kanë thënë se kritikat ndaj kryeministres kanë erë seksizmi.
Marin u bë kryeministrja më e re e Finlandës në vitin 2019 në moshën 34-vjeçare. Edhe në vendin nordik egalitarian, Marin ndjeu se gjinia dhe mosha e saj ndonjëherë merrnin më shumë vëmendje. Ajo i tha revistës ‘Vogue’ në vitin 2020 se “në çdo pozicion në të cilin kam qenë ndonjëherë, gjinia ime ka qenë gjithmonë pika fillestare – se unë jam një grua e re”.
Anu Koivonen, një profesoreshë e studimeve gjinore në ‘Universitetin Turku të Finlandës’, tha se ajo nuk mendonte se gjinia ishte një faktor vendimtar në zhurmën për videon e publikuar. Ajo tha se festa në vetvete nuk ishte një çështje e madhe, por fakti që videoja u zbulua mund të shihej si një gabim gjykimi nga kryeministrja për sa i përket njerëzve me të cilët ishte rrethuar. “Se ajo nuk u përmbajt në një shoqëri ku nuk mund t’u besojë të gjithëve në dhomë,” tha Koivonen. “Unë mendoj se kjo është çështja kryesore për momentin.”

“Nuk është puna jonë”
Jarno Limnell, një ekspert i sigurisë kibernetike dhe politikan rajonal për Partinë Konservatore të Koalicionit Kombëtar të Finlandës, tha se incidenti ishte problematik nga pikëpamja e sigurisë, duke vënë në dukje se liderët më të lartë të Finlandës janë me interes për shërbimet e huaja të sigurisë.
“Informacioni mblidhet nga një sërë burimesh dhe madje edhe informacione në dukje të parëndësishme mund të jenë të rëndësishme për një fuqi të huaj”, tha Limnell për gazetën finlandeze Helsingin Sanomat. “Vendimmarrësit kryesorë janë nën vëzhgim të ngushtë gjatë procesit të ratifikimit të NATO-s.”
Nuk është hera e parë që festa e Marin bëhet kryefjalë. Në dhjetor, ajo kërkoi falje publike pasi doli në klub deri në orën 4 të mëngjesit, pavarësisht një mesazhi me tekst që e këshillonte të shmangte aktivitetet sociale për shkak të kontaktit me dikë të infektuar me COVID-19. Marin tha se nuk e pa mesazhin sepse kishte lënë telefonin në shtëpi. Ajo më vonë doli negative ndaj koronavirusit.

Edhe në një shoqëri progresive si ajo e Finlandës, Marin thyen imazhin e një politikani tipik. Ajo u rrit me një nënë beqare e cila ishte në një lidhje me një grua tjetër. Shumë finlandezë janë krenarë për qasjen e saj moderne në zyrë, duke përfshirë veshjet që ajo ka veshur në raste zyrtare. Marin bëri bujë në mediat sociale në prill kur u shfaq në një konferencë shtypi me homologun e saj suedez të veshur me një xhaketë lëkure të zezë të stilit motorik.
Marin dhe kabineti i saj me shumicë femrash kanë fituar gjithashtu vlerësime në Finlandë dhe ndërkombëtarisht për drejtimin e palëkundur të vendit përmes pandemisë COVID-19 dhe procesit të aplikimit në NATO. “Kryeministrja jonë është super,” tha Jori Korkman, një pensionist në Helsinki. “Ajo e ka marrë punën e saj shumë të vështirë në një kohë shumë të vështirë dhe ka bërë një punë të klasit të parë. Ajo që ajo bën në kohën e saj të lirë nuk është puna jonë.”
Burimi: ABC NEWS
© Panoramaplus.al
