Big Mama ka festuar mbrëmjen e djeshme ditëlindjen e saj me një festë që bëri bashkë disa nga emrat më të njohur të ekraneve shqiptare. Këngëtarja kishte zgjedhur ta festonte në Tiranë, për të pasur pranë edhe miqtë e ri nga Big Brother.

Nuk kishin sesi të mungonin në këtë festë ish-banorët që kanë shijuar mbrëmjen deri në orët e para të mëngjesit. Festa ka nisur herët dhe në rrjetet sociale nuk kanë munguar videot dhe fotot nga party që Big Mama kishte organizuar. Edhe në këtë mbledhje, ashtu si thuajse në të gjitha kanë munguar banorët me të cilët ajo nuk ka pasur një marrëdhënie të mirë brenda shtëpisë. Natyrisht që Antonela nuk ka pasur një ftesë për të qenë bashkë me ish-banorët e tjerë në festën e saj.

Edhe disa nga banorët që e lanë shpejt shtëpinë nuk kishin një festë. Ra në sy edhe mungesa e Beatrix në festimet mes VIP-ave. Që pas ndarjes nga Donaldi, këngëtarja i ka pasur më rralla daljet publike, duke munguar në të gjitha eventet që miqtë e saj kanë qenë të ftuar. Einxhel dhe Dagz nga ana tjetër kanë udhëtuar nga Kosova për të marrë pjesë në këtë festë. Çifti është shfaqur përgjatë gjithë kohës në shoqërinë e njëri-tjetrit duke mos i fshehur puthjet dhe përqafimet. Një tjetër çift që nuk i ka munguar festës ka qenë Sarah dhe PM, që kanë festuar bashkë me të ftuarit e tjerë.

Bashkë me banorët e Big-ut ka qenë edhe Valbona Selimllari. Ish-missi ka shijuar natën bashkë me të ftuarit e tjerë, duke kërcyer e kënduar. Anxhela Peristeri, Gena, Fifi, Sabiani kanë qenë disa nga këngëtarët që ndezën mbrëmjen me performancat e tyre live. Momenti më i veçantë i mbrëmjes ka qenë edhe torta që i ka ardhur këngëtares. Krejt ndryshe nga sa jemi mësuar në festa të tjera, Big Mama ka zgjedhur të fryjë qirinjtë me këngë hip-hop, ku përkrah saj ka marrë edhe DJ Dagz dhe PM.


