1 Korrik, 2023

Fansat nuk preferojnë Kiarën, Dea dhe Ronaldo “fitojnë terren” në “Instagram”


Pas mbarimit të Big Brother VIP  të gjithë ish-banorët e shtëpisë së famshme vazhdojnë ende në qendër të vëmendjes. Tashmë ata i janë krikthyer jetës normale dhe fansat e tyre janë kurioz të dijnë se çfarë bëjnë pas përfundimit të spektaklit, duke i ndjekur në rrjetet e tyre sociale.

“Social Top 5”, një rubrikë e emisionit “Live From Tirana” që sjell vëmendjen tek personazhet e famshëm, qofshin ata shqiptarë apo të huaj.

Por, cilët janë ish-banorët e shtëpisë së “BBV” që kanë spikatur në “Instagram” këtë javë? Me disa ndryshime të vogla nga java e kaluar, këta janë personat që kanë fituar më shumë ndjekës gjatë kësaj jave…

Në vend të dhjetë renditet Efi Dhedhes me 2 mijë ndjekës më pak nga java e kaluar duke shkuar kështu në 586 mijë ndjekës. Efi vazhdon të humbasë ndjekës. Kujtojmë se pas daljes nga “Big Brother”, daljet e saj kanë qenë të rralla, duke zgjedhur që ta shijojë këtë periudhë sa më larg vëmendjes. Gjithashtu, Efi të rralla i ka pasur edhe intervistat, duke zgjedhur të bëjë më shumë pushime. E duket se e gjitha kjo ka bërë që fansat të fillojnë ta largojnë pak nga vetja.

Krist Aliaj po ashtu rezulton me më pak ndjekës nga java e kaluar, me 1 mijë ndjekës më pak. Kristi ka treguar se shumë shpejt do të nxjerrë në treg firmën e tij të parfumeve. Por gjithsesi fansat janë në pritje të të rejave nga jeta e tij private, ndaj edhe vëmendja për të është larguar pak, duke zgjedhur që mos ta ndjekin më.

Teksa në javët e kaluara Kiara Tito ka qenë me rritje të numrit të ndjekësve të saj, këtë herë ajo nuk ka ndryshuar aspak. Njësoj si javën e kaluar, moderatorja vazhdon që të ketë 728 mijë ndjekës. Është i madh interesi i publikut për çiftin, ndaj edhe Kiara ka një vëmendje të shtuar në rrjetet sociale. Ndonëse këtë javë, ajo nuk ka fituar asnjë ndjekës, vijon të mbetet një ndër personazhet më të ndjekur në rrjetet sociale nga edicioni i dytë i “Big Brother”.

Në vend të shtatë renditet Dea Mishel, të cilën e shohim çdo të diel krah Kristit në jurinë e “She’s On Top”. Ajo ka fituar mijë ndjekës në “Instagram”. Me shumë interes po pritet edhe roli i saj në filmin “Në Kuadër të Dashurisë”, ndaj edhe pas më shumë se 3 javësh, Dea ka pasur një ngritje në rrjetet e saj sociale.

Keisi Medini nga ana tjetër ka fituar 2 mijë ndjekës. Së fundmi është përfolur për një lidhje romantike mes saj dhe Dj Geek. Aktualisht interesi për këtë çift të ri është shumë i madh, ndaj edhe sytë e të gjithëve janë në profilin e Keisit.

Olta Gixhari, e cila është duke xhiruar filmin “Në kuadër të dashurisë” së bashku me Luiz Ejllin, ka fituar këtë javë 2 mijë ndjekës duke shkuar kështu në 422 K ndjekës. Ditët e fundit aktorja ka qenë shumë aktive në rrjetet sociale, duke ndarë copëza nga e përditshmja e saj. Kjo ka bërë që të rritet vëmendja në “Instagram”-in e Oltës.

Në vend të katërt renditet Jori Delli. Ajo është një nga konkurrentet e “Kepit të Tundimeve” që transmetohet në televizion duke nisur nga kjo e diel. Këtë javë ajo ka shtuar 2 mijë ndjekës. Jori është ndër vajzat më të ndjekura për faktin se nuk i kursen edhe pozat “hot” në rrjetet sociale. Ndërkohë që me shumë kuriozitet po pritet edhe pjesëmarrja e saj në klipin e Noizyt.

Luiz Ejlli, një nga protagonistët e “Në kuadër të dashurisë” që po xhirohet aktualisht në Korçë, ka fituar këtë javë po ashtu 2 mijë ndjekës. Kujtojmë se fituesi i “Big Brother”, është personazhi më i kërkuar dhe më i paguar aktualisht. Postimet e tij në rrjetet sociale, nuk janë edhe shumë të shpeshtë, megjithatë kur ai poston komentet dhe pëlqimet kapin majat. Ndonëse nuk është personazhi me rritjen më të madhe të ndjekësve, padyshim që Luizi ka një vëmendje të madhe në çdo hap të tij, ndaj dhe “Instagram”-i i tij është ndër më të vizituarit.

Në vend të dytë pozicionohet Ronaldo Sharka. Këtë javë ai ka fituar 3 mijë ndjekës duke shkuar kështu në 140 K. kujtojmë se javën e shkuar, Ronaldo kishte pësuar një humbje të madhe në rrjetet sociale, që duket se e ka rikuperuar shumë shpejt.

Elvis Pupa vazhdon që të ruajë vendin e parë për të tretën javë radhazi. Këtë herë ai ka fituar 4 mijë ndjekës më shumë në “Instagram”. Një personazh shumë i pëlqyer, ndonëse jo shumë aktiv në vendin tonë, Elvisi vijon të mbetet i preferuari i ndjekësve për gati 1 muaj rresht.

© Panoramaplus.al