21 Mars, 2019

Erleta, ish-bashkëshortja e Kastros pëson infarkt: Po e shoh që gjendja ime veçse po më përkeqësohet


Vajza e veprimtarit të njohur kosovar Ukshin Hoti dhe ish-bashkëshortja e këngëtarit Kastro Zizo, Erleta, duket se po përjeton një nga periudhat më të vështira të jetës.

Nënë e një vajze, ajo ka pesë vite që qëndron e shtrirë në krevat dhe dergjet spitaleve për shkak të gabimeve mjekësore. Ashtu ka shkruar në rrjetet sociale, se para pesë viteve pas një infeksioni urinar u diagnostikua gabimisht me terapi nga disa mjekë, terapi kjo e cila i dëmtoi shumë organe brenda trupit të saj, përfshirë edhe zemrën.

“Pesë vite në gjendje jo të mirë shëndetësore, pa punë dhe pa njohuri se çka të bëj me vetën”, kështu e nis rrëfimin e saj Erleta, e cila rri e shtrirë dhe nuk ka mundësi as të kujdeset për vajzën e saj.

“Në fillim të vitit 2015 isha e ftohur nga një kanal urinar, kurse një nefrolog më diagnozoi që kisha ‘veshkë të dëmtuar’. Nga terapitë e gabuara, gjendja veçse përkeqësohej, derisa ndërrova doktorin, i cili e pa që nuk kisha asgjë në veshkë. Po për shkak të keqtrajtimit, veçse më ishin dëmtuar disa organe të brendshme, ndër to dhe zemra…”, thekson mes tjerave ish-moderatorja e njohur kosovare, e cila prej kaq vitesh qëndron edhe e papunë e pa përkujdesje shtetërore, edhe pse është e bija e një prej veprimtarëve më të njohur kosovarë.

“Pas 3 viteve të terapive shëruese, rezultatet mjekësore më dolën mirë dhe u gëzova shumë. Por, pas katër ditëve pësova infarkt në zemër (sipas kardiologut) dhe prapë mbeta shtrirë dhe me pasoja nga më të ndryshmet. Kam shkuar te katër kardiologë të ndryshëm dhe kam marrë 4 diagnoza të ndryshme për zemrën. Po e shoh që gjendja veçse po më përkeqësohet, por me 4 diagnoza të ndryshme as e kam idenë se çfarë duhet të bëj.

Ndoshta në rrjetet sociale njerëzve po u dukem e buzëqeshur, ‘shëndosh e mirë’ dhe e aftë që të merrem me ndonjë gjë. Por, realiteti është i kundërt. Këtë gjë po jua tregoj për herë të parë publikisht me shpresën që disa portale propaganduese të merren me çështje më të rëndësishme e jo me një njeri që nuk është mirë me shëndet!”.

Kështu e përmbyll rrëfimin e saj në lidhje me gjendjen shëndetësore Erleta Hoti, duke reaguar kështu ndaj mediave online, të cilat kishin keqpërdorur emrin dhe gjendjen e saj shëndetësore, për përfitime të klikimeve.

PANORAMA PLUS

© Panoramaplus.al